English

Xhalil: Vdekja e Geddafit e pasigurt, pranë bunkerit të tij ka ende të shtëna

Tripoli, 22 gusht 2011, NOA- Në Libi pas marrjes nën kontroll të Tripolit nga ana e kryengritësve antiqeveritarë, në një konferencë për mediat reagoi kreu i Këshillit Transitor, Mustafa Abdel Xhalil.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se Tripoli nuk është marrë ende i gjithi nën kontroll, pasi ka ende besnik të kolonel Geddafit që luftojnë, duke shtuar se uron që ai të jetë gjallë në mënyrë që të përgjigjet para drejtësisë për gjithë sa ka bërë dhe që e gjithë bota ta shikojë mbrapa hekurave atë që siç e quajti Xhalil, diktatori më i madh i Tokës.

Kreu i Këshillit Transitor nuk dha asnjë informacion se ku ndodhet kolonel Geddafi dhe as për vdekjen e tij por konfirmoi se është qëlluar mbi vendstrehimin e tij dhe se vazhdon të ketë ende të shtëna afër bunkerit të tij.

Në vijim Xhalil bëri apel për qetësi dhe për kalim paqësor të pushtetit, pasi shtoi se ende një pjesë e Tripolit nuk është marrë nën kontroll, si dhe përgëzoi popullin libian për këmbënguljen e treguar.

Nata e kaluar për popullin libian ishte një natë tepër e gjatë pas ofensivës së kryengritësve në kryeqytet dhe në bunkerin e Gheddafit janë dorëzuar garda republikane dhe janë arrestuar dy prej djemve të kolonelit libian, trashëgimtari i postit Saif al Islam dhe djali tjetër Mohamed, ndërsa ende nuk bëhet e qartë kapja e djalit tjetër Saadi.

a.y/NOA

KOMENTE