English

Bullgaria: Gadafi, i fshehur në bunkerët që ndërtuam ne në Libi gjatë komunizmit

Tripoli, 23 gusht, NOA – Diktatori i Libisë, Muamar Gadafi, gjatë këtyre orëve të një sulmi të madh të rebelëve, mund të jetë fshehur në ndonjë nga bunkerët e ndërtuar nga një kompani bullgare. Kjo është bërë me dije për mediat e Sofjes nga një ekspert i sigurisë, i cili ka dashur të mbetet anonim, por që në fakt, e njeh mirë back-groundin e bashkëpunimit mes Libisë dhe vendit të tij, për çështjet e sigurisë.

Kështu, e përditshmja bullgare “24 Chasa”, deklaron se ka të ngjarë që Gadafi të jetë i fshehur në një nga bunkerët e ndërtuar nga kompania bullgare “Technoexportstroy” në Libi gjatë viteve ‘80.

Ka qenë pikërisht koha kur mes këtyre dy vendeve ka patur një bashkëpunim të madh, pasi Bullgaria ishte nën regjimin komunist. E pikërisht, eksperti i sigurisë mendon se forcat libiane mund ta kenë shmangur përdorimin e bunkerëve më modernë që Gadafi ka në dispozicion të tij për strehimin dhe fshehjen, pasi ai është i vetëdijshëm se NATO ka informacion rreth tyre. Prandaj mund të ketë zgjedhur ndonjë nga bunkerët bullgarë, të cilët nuk bien në sy, por ama e kryejnë mjaft mirë funksionin e fshehjes dhe, duke shpresuar se informacioni rreth ekzistencës dhe vendodhjes së tyre mund të jetë "harruar" tashmë.

"Bunkerët bullgare në Libi janë aq të vjetër, saqë të gjithë e kanë harruar ekzistencën rreth tyre, duke përfshirë edhe ata që i kanë ndërtuar ata. Unë mund t'ju siguroj se edhe menaxheri i tanishëm i ‘Technoexportstroy’ nuk ka asnjë ide se arkivat me pluhur të kompanisë, mund të përmbajnë plane për ta", ka vënë në dukje eksperti i sigurisë.

Gjatë regjimit komunist, vendin ballkanik ka pasur marrëdhënie të ngushta me Libinë, ndërsa “Technoexportstroy” në veçanti, ishte një nga kompanitë bullgare që kishin pozita shumë të forta në Libi. Aktivitetet e kësaj kompanie përfshinin ndërtimin e bazave të nëndheshme dhe korridoreve logjistike, etj.

n.e/NOA

KOMENTE