English

Libi, shfaqet Saif al Islam: Im atë është në Tripoli, u thyem brinjët kryengritësve

Tripoli, 23 gusht 2011, NOA – Saif al Islam, njëri prej djemve të kolonel Muammar Gheddafit, arrestimin e të cilit e kishte lajmëruar Gjykata Penale Ndërkombëtare, është i lirë.

Saif, trashëgimtari i regjimit të Gheddafit iu shfaq gazetarëve natën e të hënës në Tripoli duke i cilësuar si të gënjeshtërta zërat për kapjen e tij.

I biri i Gheddafit lajmëroi se koloneli libian ndodhet në Tripoli.

Duke hedhur poshtë marrjen në duart e kryengritësve të kryeqytetit libian pas revolucionit të 21 gushtit, Saif al Islam deklaroi se “Tripoli është nën kontrollin e regjimit, ta marrë vesh mbarë bota. Gjithçka shkon mirë në Tripoli, u kemi thyer brinjët kryengritësve”, u tha ai tre gazetarëve, në bunkerin e Gheddafit në Bab al Aziziya.

Më pas Saif u takua me gazetarët e huaj pranë Hotel Rixos.

BBC tregoi Live të birin e kolonelit libian duke buzëqeshur brenda rezidencës presidenciale në Bab al Aziziya, ndërsa kishte veshur një bluzë në ngjyrë të gjelbër ushtarake e teksa u shtrëngonte duart dhjetëra njerëzve që e rrethonin.

Madje pamja u bë edhe më ironike kur Saif al Islam ngriti dorën lart duke treguar me dy gishtat shenjën V që simbolizon fitoren.

Sipas tij, ovacionet për rrëzimin e regjimit 41-vjeçar të Gheddafit janë të rreme.

“Perëndimi disponon teknologji të lartë duke turbulluar komunikimin dhe dërguar mesazhe false për popullin libian mbi të ashtuquajturin rrëzim të regjimit të Gheddafit”, u tha Saif al Islam gazetarëve të huaj që ndjekin hap hapi ngjarjet në Libi.

Por, presidenti Barack Obama deklaroi mbrëmë nga Shtëpia e Bardhë se regjimi i kolonelit libian është drejt fundit.

Dje forcat e NATO-s bombarduan bunkerin ku mendohet se fshihet Gheddafi, por deri më tani nuk duket asnjë gjurmë e tij.

Sipas zëdhënësit të kryengritësve Ahmed Omar Bani 95 përqind e kryeqytetit Tripoli është në duart e tyre.

mit/NOA

KOMENTE