English

Merkel në Beograd, lajtmotiv dialogu Serbi-Kosovë dhe integrimi

Beograd, 2011, NOA – Një ditë pas vizitës në Kroaci, kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbërritur në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, ku pritet ashtu siç deklaroi disa ditë para nisjes së turit ballkanik se njëra nga detyrat e saj do të jetë të bindë Serbinë se duhet të vazhdojë dialogun me Kosovën.

Zonja Merkel në vizitën e shkurtër në Beograd do të takohet me liderët serbë, të cilëve pritet t’u kërkojë të zgjidhin mosmarrëveshjet me Kosovën me qëllim që të përmirësojnë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe të shtrojnë më tej rrugën e integrimit në BE.

Kancelarja Merkel sikundër kryediplomati gjerman Guido Westerwelle pak ditë më parë në Kosovë, pritet të deklarojë edhe në Serbi qëndrimin e Gjermanisë se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm për Gjermaninë dhe se Serbia duhet t’i mbajë larg duart nga Veriu i Kosovës.

Ndërkohë gjatë vizitës të hënën në Kroaci, e cila pritet t’i bashkohet BE-së në verën e 2013-ës, kancelarja gjermane u shpreh për televizionin kroat se BE u ka hapur perspektivën e anëtarësimit në BE të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, porse ajo paralajmëroi se integrimi i tyre në union do të varet vetëm nga përmbushja e kushteve.

“Nuk do të lejojmë që disa vende të qëndrojnë para derës, sepse vendet e tjera kanë probleme me borxhet, që do të thotë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën, Bosnjë e Hercegovina duhet të ketë një qeveri dhe Maqedonia duhet të zgjidhë mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë” theksoi kancelarja gjermane Angela MerkelKroaci, pas takimeve të djeshme me presidentin kroat Ivo Josipoviç dhe kryeministren Jadranka Kosor.

mit/NOA

KOMENTE