English

Minatorët e Bulqizës në protestë: Marrëveshje, ose sot hyjmë në grevë urie

Bulqizë, 23 gusht 2011, NOA/Rid Bulku – Në pritje të përgjigjes për kërkesat e tyre, minatorët e Bulqizës janë tubuar pranë hyrjes së kompanisë koncensionare ACR në Bulqizë.

Afro 700 minatorë të Bulqizës po protestojnë për zvarritjen e nënshkrimit të marrëveshjes nga kompania austriake me pretekstin se nuk do në tryezën e marrëveshjes kreun e Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikollaj.

Ndërkohë minatorët thanë shprehimisht se nuk nënshkruajnë marrëveshje pa praninë e Nikollajt.

Mosarritja të hënën e marrëveshjes me administratorin e kompanisë austriake Giga Bedineishvili i ka irrituar edhe më shumë minatorët.

Pas ngujimit nën tokë për plot 27 ditë grevë urie në galeritë e rrezikshme të minierës së Bulqizës, ata ende nuk kanë arritur marrëveshjen e shumëkërkuar për plotësimin e kërkesave jetike, si rritjen e rrogës me 20 përqind, përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë, uljen e moshës së pensionit, etj.

Administratori Bedineishvili deklaroi se nuk është dakord t’u paguajë pagën e plotë për dy muajt e protestës së tyre, ndërkohë që kjo është një prej kërkesave të minatorëve.

Minatorët i kanë kërkuar ndihmë shtetit, por në pritje të mbërritjes së saj ata nuk kanë mundur ende të takohen me ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.

Ndoshta ky takim nuk ka ndodhur për shkak të pushimeve të verës.

Minatorët kërcënuan se nëse marrëveshja me ACR-në nuk arrihet as të martën, atëherë ata do të ngujohen rishtas në grevë urie që për afat përmbyllës do të ketë vetëm momentin e zyrtarizimit të marrëveshjes.

mit/NOA

KOMENTE