Brescia, 23 gusht, NOA - Ajo erdhi në Itali nga Shqipëria për të trajtuar të bijën 20-muajshe të sëmurë me kancer. Por tani spitali italian i kërkon të paguajë faturën: plot 49 mijë euro. Ajo e Eralda Gracit dhe vajzës së saj, Deliada, është një odise e tërë shëndetësore burokratike, e cila në fakt filloi pak më shumë se një vit e gjysmë më parë në Tiranë. Historia në fjalë ka gjetur pasqyrim në mediat e qytetit italian Brescia, duke bërë apel ndaj autoriteteve për zgjidhjen sa më parë të saj. Ajo nis me diagnostifikimin e sëmundjes së rëndë të kancerit që kryesisht ndikon në tru dhe mbaresat nervore optike, të së voglës Deliada.
Duke vijuar me faktin se nuk mund të kurohej plotësisht në spitalin "Nënë Tereza" në Tiranë dhe prandaj nëna 23-vjeçare është detyruar të marrë rrugën e Italisë për të shpëtuar bijën e saj.
Gjërat kanë qenë mesa duket, duke shkuar sipas planit, deri pak ditë më parë, kur në 17 gusht, infermierja e spitalit civil, në vend që ta shoqëronte Eraldën dhe vajzën e saj për të bërë testet, i paraqiti një llogari prej 49.000 € për trajtimet e deritanishme. Duke i saktësuar se nëse nuk paguante borxhet e akumuluara, do t’i kërkohej largimi nga spitali, pa qenë në gjendje më pas të kishte qasje në sistemin e kujdesit shëndetësor italian.
Siç tregon Massimiliano Nicolini, president i Fondacionit bamirës “Caritate Christi Compulsi” në Brescia, i cili po ndjek historinë e dy shqiptareve, e vogla është kuruar përmes certifikatës STP të Sistemit Shëndetësor Kombëtar, e cila i lejon spitalet për të administruar shërbimet dhe kujdesin në të njëjtën mënyrë si ato për qytetarët italianë.
“Deliada mbërriti në Brescia e rregullt, - thotë ai, - në sajë të liberalizimit të vizave mes Italisë dhe Shqipërisë, dhe gjykata e lejoi të ëmën për të qëndruar në Itali për të garantuar kujdesin e fëmijës së saj”.
Deri më sot, gjendja e Deliadës është ende e pasigurt, tha më pas ai, duke shtuar se duke mos pasur mbështetjen nga spitali, nëna është e detyruar për të blerë ilaçe dhe duhet të sigurojë gjithashtu automatizimin mjekësor të detyrueshëm për shkak të pranisë së tubave të ushqyerit për ushqimin. n.e/NOA