English

Parisi: NATO vigjilente, regjimi libian në grahmat e fundit, Sarkozy fton në Elisee Jibril

Paris, 23 gusht 2011, NOA – Ndërsa kryengritësit deklarojnë se kanë vënë nën kontrollin e tyre 95 përqind të vendit, fitorja e kryengritësve libianë kundër regjimit 42-vjeçar të kolonelit Muammar Gheddafi nuk është e plotë andaj edhe duhet të mbeten ndezur dritat e rrezikut në Libi dhe NATO të jetë vigjilente deri në përfundim të misionit atje.

Këtë apel e lëshoi sot kryediplomati francez Alain Juppé, për stacionin “Europe 1”.

“Regjimi i Gheddafit po bie, por ka ende gjurmë rezistence të forcave besnike të tij”, deklaroi Juppé.

Sipas tij forcat ndërkombëtare të aleancës së NATO-s duhet të qëndrojnë në gatishmëri për t’i shkuar deri në fund operacionit për rrëzimin e regjimit libian.

Shefi i diplomacisë franceze saktësoi më tej se ky ishte apeli në kor që lëshuan dje nga Parisi, amerikanët, britanikët, gjermanët, turqit dhe disa vende arabe.

Juppé shtoi se Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Libi kontrollon tashmë thuajse tërë vendin dhe pjesën më të madhe të kryeqytetit Tripoli, ku sipas tij qytetarët nuk janë ngritur në masë për mbështetjen e Gheddafit.

Kryediplomati francez konfirmoi gjithashtu se Parisi ka propozuar ndryshimin e emërtimit të “Grupit të Kontaktit mbi Libinë” duke e transformuar atë në “Grupi i miqve të Libisë”, propozim i cili do të vihet në tryezën e NATO-s në mbledhjen e javës së ardhshme.

Ndërkohë shefi i pallatit Elisee, Nicolas Sarkozy i dënoi apelet e papërgjegjshme e të dëshpëruara të kolonel Gheddafit, se nuk do të lëshojë pe dhe se do të luftojë me çdo kusht.

Presidenti francez ftoi zyrtarisht kreun e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit libian Mahmoud Jibril në një takim në Francë të mërkurën.

Vetëm një ditë më parë edhe presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se regjimi libian është në ikje pa kthim dhe se tirani libian duhet të largohet nga pushteti, për të shmangur gjakderdhjen.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë inkurajoi kryengritësit e regjimit që hynë triumfatorë mbrëmë në Tripoli të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të lejojnë institucionet e vendit të ecin drejt demokracisë.

mit/NOA

KOMENTE