English

Presidenti Topi: Berisha dhe Rama të punojnë së bashku, është jetike

Himarë, 23 gusht 2011 NOA – “Sezoni që presim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me nevojën jetike për një bashkëpunim të domosdoshëm midis pozitës dhe opozitës.”

Deklarata u bë sot nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në përfundim të vizitës së tij të punës në Komunën e Himarës, ku iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme lidhur me disa çështje të aktualitetit politik në vend.

I pyetur për një vlerësim të tij lidhur me situatën aktuale politike dhe raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, Kryetari i Shtetit Shqiptar vuri në dukje: “Kemi vlerësuar me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it dhe ajo shkon në vijueshmëri të të gjitha apeleve që janë dhënë vazhdimisht për politikën shqiptare”.

Interesimit të gazetarëve lidhur me një koment të Presidentit të Republikës mbi diskutimet për ndryshimet kushtetuese, Topi iu përgjigj: “Pa hyrë atje unë do të thoja që është axhenda e integrimit të Shqipërisë. Për sa i përket pyetjes që ju bëni unë jam deklaruar që Presidenti nuk do të futet për asnjë moment në çështjen e debatit mbi ndryshimet kushtetuese. Presidenti, duke respektuar pozicionin e tij e ka të drejtën nëse kjo del në planet e partive politike për ta diskutuar për t’u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij. Por edhe në retrospektivë, edhe kur partitë politike kanë vendosur që të bëjnë ndryshimet kushtetuese, ju siguroj që nuk e kanë pyetur Presidentin. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen Presidenti të mos mbajë qëndrimin e tij institucional, konstitucional. Pra, është në të drejtën e partive politike për ta mbajtur të gjallë debatin, ose jo, është një çështje e tyre. Por, ajo që unë do jepja si një apel edhe një herë shumë të fortë është nevoja, domosdoshmëria për të bashkëpunuar. Nuk mund të shkojmë në Evropë pa dhënë në mënyrë të qartë idenë që shqiptarët, klasa politike, partitë politike dinë të bashkëpunojnë dhe dinë të prodhojnë jo vetëm ligje, por edhe marrëveshje, por edhe detyrime që vijnë nga raporti i Komisionit Evropian.”

Në përgjigje të pyetjes nëse kjo vlen edhe për zgjedhjet lokale, nisur dhe nga raporti i OSBE/ODIHR-it, Presidenti i Republikës u shpreh se “natyrisht që vlerësojmë me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it dhe nga ai raport dalin shumë gjëra të cilat në radhë të parë janë detyrim për partitë politike.”

e.t/NOA

KOMENTE