English

Reagimi për Libinë, Rama: Berisha i vetmi që përshëndeti rënien e Gadafit

Tiranë, 23 gusht 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk ka fshehur habinë që, sipas tij, kryeministri Berisha është i vetmi kryetar qeverie europian që tregon entuziasmin e tij për rënien e regjimit, gjë që ende nuk ka ndodhur.

“Duke ndjekur me kënaqësi të jashtëzakonshme shembjen e një tjetër fashizmi oriental në botën arabe, përmes bredhjes stacion më stacion për të parë orë pas ore afrimin e fundit të tiranit sa gjakatar aq qesharak të Libisë, nuk pashë as kancelaren gjermane, as kryeministrin britanik, as atë francez, as atë italian apo ndonjë kryeministër tjetër në Europë, përveç Saliut, që të dilte para popullit të vet e të përshëndeste si Saliu rënien e regjimit të Tripolit. Pashë vetëm presidentin e SHBA dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s që, siç kanë dalë vijimësisht para mbarë botës në ndjekje të zhvillimeve dramatike në Libi, dolën e vazhduan të flasin nga lartësia e misionit të tyre për fatet e atij vendi në mbështetje të revoltës çlirimtare të popullit libian, duke rikërkuar largimin e Gadafit. Por as njëri as tjetri nuk shkuan deri tek shpalosja e gëzimit të fitores ende të paarritur përfundimisht deri në këto momente, siç shkoi Saliu me ngut përpara të gjithëve, duke folur para shqiptarëve si të ishte në rolin e prijësit të të gjithë koalicionit botëror kundër kolonelit Muhamar Al Kadafi, mikut të tij të vjetër, dhe si të kishte përballë kamerat e mbarë planetit”, nënvizoi Rama në editorialin e sotëm.

Sipas tij kryeministri Berisha ka ngjashmërisë me kolonelin e Libisë. “S’ka asgjë për t’u çuditur as në psenë e krekosjes së përsëritur të Saliut para shqiptarëve për arritje globale ku Shqipëria s’ka si të ketë dot asnjë gisht, po ku kryeministri i saj sa i dhunshëm aq qesharak, me ngjashmërira të lexueshme me kolonelin e Tripolit në qasje, sjellje, fjalor, s’rri dot pa ngritur dorën e prezencës. Arsyeja pse më bëri përshtypje kuturisja e tij për të shfaqur gëzimin e rënies së regjimit në Libi qëndron përtej anës qesharake të provincializmit me të cilin Saliu e bën rolin e kryeministrit në një vend që s’është kërthiza e botës, po ku Saliu sillet si të ishte ai vetë kërthiza e fateve të botës, gjithnjë me prapamendimin djallëzor të krijimit tek ata që e ndjekin pas të iluzionit të një madhështie të gjithanshme idesh, arritjesh, suksesesh, në realitetin e një krize të thellë ekonomike e sociale. Tamam enverist në metodë, por kjo është një temë tjetër”, shprehet kryesocialisti në editorial, një risi kjo e ditëve të verës për kryetarin e opozitës.

“S`ka dyshim që Shqipëria s`është Libia, as Saliu s`është Kadafi. Po që Shqipëria ngjan më shumë me Libinë sesa me Britaninë e Madhe a me Gjermaninë dhe që Saliu ngjan më shumë me kolonelin e Tripolit sesa me cilindo nga homologët e tij europianë, as kjo s`ka asnjë dyshim. Këtë e dinë të gjithë dhe Saliu e di që të gjithë e dinë. Prandaj u ngut ta përshëndesë para të gjithëve rënien ende të pandodhur plotësisht të atij regjimi gjakatar. Triumfator dhe i trembur njëkohësisht, si me gjumë të prishur sa nga beteja fitimtare për Tripolin sa nga ca ngjashmëri të padëshiruara. S`ka faj, për një ngjashmëri kësisoj të gjen belaja”, përfundon reagimi i kryesocialistit Rama.

KOMENTE