Pas marshimit në kryeqytetin Tripoli luftëtarët e kryengritjes libiane e shpallën të përfunduar sundimin prej katër dekadash të pushtetmbajtësit Muammar Al-Gaddafi.
Era e Gaddafit përfundoi, sqaroi shefi i Këshillit Tranzitor Kombëtar të rebelëve Mustafa Abdul Xhalil. Këshilli po përgatitet që të shpërngulet nga Bengazi në kryeqytet, tha me tej ai, citon radio DW.
Kryeqyteti është pothuajse nën kontroll të plotë të rebelëve, tha Xhalili. Ende nuk ka informata të sakta për vendndodhjen e diktatorit Gaddafi. Këshilli Tranzitor sqaroi se dëshiron ta kapë të gjallë 69-vjeçarin dhe ta nxjerrë para gjyqit.
Rrëzimi i pushtetit në Libi është pritur me lehtësim nga bashkësia ndërkombëtare. Presidentët dhe kryeministrat e qeverive të shumë vendeve shprehën bindjen e tyre se tani është hapur rruga për ndryshime demokratike në vendin afrikanoverior.
Presidenti amerikan, Barack Obama, sqaroi se e ardhmja e Libisë ndodhet në duart e popullit. Pas luftimesh disamujore ka ardhur koha për ndërtimin e një Libie demokratike.
"Të drejtat e të gjithë libianëve duhet të respektohen. Drejtësia e vërtetë nuk do të vijë nga raprezaljet dhe dhuna, ajo do të vijë nga pajtimi dhe duke lejuar qytetarët që të përcaktojnë vetë fatin e tyre", tha Obama.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon e siguroi Libinë për ndihmën e Kombeve të Bashkuara. Me rëndësi është që konflikti të përfundojë pa humbje të tjera jetësh njerëzish.
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, tha se Libia ndodhet para fillimit të një ere të re.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, kërkoi që pushtetmbajtësi Muammar al-Gaddafi të nxirret para drejtësisë.