Tiranë, 23 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Ministria e Punëve Publike dhe Transportit deklaron se, viti 2011 ka sjellë një bum rritjesh ne numrin e fluturimeve ajrore drejt Shqipërisë, si dhe nga Shqipëria drejt destinacioneve të ndryshme të botës.
Kjo meritë shprehet ministria, vjen si rrjedhojë e krijimit të kushteve më të lehta për turistët, ku theksohet kryesisht se numri i lartë i tyre ka ardhur si rrjedhojë e faktit se Shqipëria është një ndër destinacionet kryesore turistike.
Në njoftimin e MPPT thuhet se nëse i referohesh të dhënave për transportin ajror, rezulton se ka një rritje prej 23 % të numrit te pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ku numri i pasagjerëve ka qenë 644.914 dhe aktualisht ka shkuar në 793995 pasagjerë.
Ndërkaq thuhet se, rritja prej 23 % e numrit të pasagjereve, përkthehet si pasojë e shumë faktorëve, ku sigurisht më i rëndësishmi mbetet, Shqipëria destinacioni turistik, tashmë i preferuar nga shumë turistë të huaj, por sigurisht një ndikim ka pasur edhe liberalizimi i vizave, që i dha mundësinë shqiptarëve të udhëtonin drejt të gjithë destinacioneve të botës.
Ndërsa për sa i përket numrit të hyrje- daljeve të pasagjerëve, ka përkatësisht një rritje prej 25 % te hyrjeve dhe 22% të daljeve krahasuar me një vit më parë, ku numri i pasagjerëve që kanë hyrë, nga 314734 ka shkuar përkatësisht në 392462, ndërsa numri pasagjerëve të dalë nga 330180 ka shkuar në 401533.
Sakaq krahas rritjes bombastike të numrit të pasagjerëve, risi tjetër për këtë vit ka qenë edhe shtimi i destinacioneve të reja të fluturimeve, ku përmendet destinacioni për në Antalia ku deri vjet ofrohej vetëm me fluturime charter, ndërkohë që këtë vit u vendosën në funksion të pasagjerëve linjë direkte fluturimi.
Po kështu përmenden linja të tjera të reja me destinacion Athinën, Barcelonën, Genovën, Londrën, Parisin, Rhodosin dhe Zurichun.
Sipas MPPT, shtimi i këtyre linjave të reja ajrore ka shkurtuar në mënyrë të ndjeshme udhëtimin për në këto destinacione të cilat më parë ofroheshin vetëm me anë të tranzitit dhe jo me linja direkt.
a.y/NOA