English

Thaçi: Dialogu do vijojë, por Serbia s’do të ketë veto për rendin dhe ligjin në Kosovë

Prishtinë, 23 gusht 2011, NOA- Në seancën e parë parlamentare të nisur pas pushimeve verore, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se që pas 25 korrikut situata në veri të vendit ka ndryshuar shumë.

Sipas tij që pas asaj date për Kosovën është hapur një kapitull i ri për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit.

“Djegia e pikës kufitare 1 është bërë nga njerëzit me maska, por gjithçka ishte e qartë, pas kësaj djegie qëndron politika e shekullit të kaluar, që Serbia ende vazhdon ta zbatojë në raport me Kosovën”, u shpreh Thaçi.

Më tej ai shtoi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës as de facto dhe as de jure dhe kjo tha ai është deklaruar edhe nga partnerët ndërkombëtar të cilët e njohin gjendjen e 12 viteve të fundit në veri të vendit.

Thaçi theksoi se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut dhe se kjo është konfirmuar tanimë edhe nga Brukseli, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet zyrtarëve të lartë që vizituan Republikën e Kosovës javëve të fundit.

Ndër të tjera ai sqaroi se do të vijojë dialogu me Kosovën dhe se kjo nuk do të thotë që Serbisë do t’i jepet e drejta vetos për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Kryeministri Thaçi premtoi se, “Do të sjellim para drejtësisë të gjithë paramilitarët dhe kriminelët që djegin pikat kufitare të Kosovës dhe që dhunojnë rendin kushtetues të Kosovës. Krimi në veri, strukturat kriminale nuk janë rrezik lokal, janë rrezik për rajonin dhe do të jemi të pa kompromis kundër tyre”.

a.y/NOA

KOMENTE