Tiranë, 23 gusht 2011, NOA – Viti i ri shkollor do të nisë zyrtarisht më 12 shtator, ndërsa përgatitjet për të kanë nisur tashmë. Ministria e arsimit njoftoi sot se pas datës 29 gusht, të gjithë nxënësit mund të pajisen me librat shkollorë. Sipas njoftimit zyrtar, pas përzgjedhjes së librave alternativë, secila shkollë duke filluar nga kjo datë do të krijojë librarinë e improvizuar për shpërndarjen e librave tek nxënësit. Ministria e arsimit është duke konkluduar edhe projektin për shpërndarjen e 2 mijë abetareve për fëmijët e emigrantëve si dhe 6 mijë libra të tjerë për mësimin e gjuhës shqipe. Fëmijët e romëve do ti marrin librat falas ndërsa fëmijët e familjeve me të ardhura më pak se 30 mijë lek në muaj do të subvencionohen në masën e 50%. Të gjitha këto përjashtime bëhen në bazë të ligjeve respektive.
a.q/NOA