Tiranë, 24 gusht 2011, NOA - Kryeministri Berisha i shprehu sot ngushëllimet Kryeministrit të Çekisë, zotit Petr Neças, për ndarjen nga jeta të znj. Marketa Fialkova, ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës Çeke në Shqipëri. Në këtë telegram, kryeministri Berisha shprehet:
“Shkëlqesi,me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të znj. Marketa Fialkova, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës Çeke në Republikën e Shqipërisë. Në këtë moment të trishtuar, më lejoni t`ju shpreh juve dhe nëpërmjet jush, familjarëve dhe të afërmve të Ambasadores Fialkova, ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Ambasadorja Fialkova, që nga viti 2007 kur erdhi në Shqipëri e deri në momentin e ndarjes së saj të dhimbshme nga jeta, punoi me përkushtim duke dhënë një kontribut të çmuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Dëshiroj të vlerësoj, veçanërisht, bashkëpunimin e ngushtë me të, në kuadër të Presidencës çeke të BE-së. Duke ndarë me ju, vlerësimin e lartë për personalitetin e kësaj diplomateje të shquar dhe një mikeje të mirë dhe të paharruar të shqiptarëve, shpreh bindjen time të thellë për vazhdimësinë e përmbushjes së angazhimeve të marra së bashku me Ambasadoren Fialkova, si shenjë respekti dhe mirënjohje për kontributin e saj të çmuar.
a.q/NOA