Tiranë, 24 gusht 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme ministri i Financave Ridvan Bode dhe Ambasadori italian Saba D’Elia nënshkruan marrëveshjen për konvertimin e një pjese të borxhit.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje i hapet rrugë programit të konvertimit të një pjesë të borxhit që Shqipëria ka ndaj Italisë gjë që është parashikuar në Protokollin e bashkëpunimit dypalësh.
Mësohet se ky program do të jetë i orientuar për zhvillimin social, në veçanti për sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikat e punësimit. Për këtë qëllim do të nënshkruhet Marreveshja e propozuar për Konvertimin e Borxhit.
Siç njofton ministria e Finanacave, sipas kësaj skeme konvertimi, shërbimi i borxhit (principal + interes) deri në shumën 20 milion euro, për disa kredi te akorduara nga Qeveria Italiane, nuk do ti paguhen kësaj të fundit por do të depozitohen në një Llogari Fondi Kundërparti (CPF).
Pagesat në këtë fond do të behen në njëmbëdhjetë këste ku secili këst konvertohet në Lek sipas kursit të këmbimit EURO/LEK të kuotuar nga Banka e Shqipërisë në datën e depozitimit të këstit. Kësti i parë që do të ketë vlerën 500,000 Euro, do të depozitohet në CPF brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes. Dhjetë këstet e tjera pasuese gjysmë-vjetore, secili me vlerën prej 1.95 milionë Euro, do të depozitohen më çdo 31 Tetor dhe 30 Prill të viteve në vijim. Fondi i grumbulluar në këtë mënyre do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga te dy palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe gjenerimit punësimit.
Për realizimin e këtij programi në mbështetje të politikave të zhvillimit social, do të funksionojë një Komitet i përbashkët Menaxherial i cili do të përbëhet nga Ministri i Financave Të Shqipërisë ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, Departamenti i Strategjisë dhe Bashkërendimit të Donatorëve pranë Këshillit të Ministrave dhe Ministri të tjera përkatëse; dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga anëtarët e Ambasadës Italiane, Zyrës Italiane të Bashkëpunimit dhe/ose MFA-DGDC.
Afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet që nga momenti i depozitimit të këstit të fundit në llogarinë e fondit CPF. Fondet e krijuara nga depozitimi i kësteve të shërbimit të borxhit për kreditë ekzistuese, dhe të përdorura për projektet përkatëse, do të konsiderohen si shuma borxhi të shlyera kundrejt Qeverisë së Republikës së Italisë. Fondet e papërdorura deri në afatin e vendosur prej dy vjetësh, do ti kthehen Qeverisë Italiane.
Ndërkaq të pranishëm në firmosjen e kësaj marrëveshje ishin edhe Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili si dhe Kryetari i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim i Ambasadës Italiane, Aldo Sicignano.
a.y/NOA