English

Gjermanët po i mundin italianët në kuzhinë

Romë, 24 gusht, NOA – E çuditshme, por duket se po bëhet e vërtetë. Kuzhina italiane po ndihet gjithmonë e më e rrezikuar nga rivaliteti i traditës gjermane në të gatuar.

Këtë e pohojnë vetë mediat italiane së fundmi, duke e cilësuar si “kërcënuese” për kuzhinën italiane, drejtimin e shumë restoranteve në vendin fqinj nga shefa kuzhine gjermanë.

Kështu, në një artikull të posaçëm të “Espresso”-s, thuhet se në Romë, Bolonjë dhe shumë zona të tjera në Itali, shumë shefa kuzhine nga Gjermania kanë sjellë në restorantet përkatëse mjaft shije dhe receta të reja që edhe pse nuk janë shumë në shijen e italianëve, janë kthyer në flamurtaret e kuzhinës së tyre.

Madje autori thotë se po shfaqet së fundmi ideja se në Gjermani qenka më mirë të hash se në Itali.

“Ku janë shefat më të mirë gjermanë? Te ne këtu në Itali. Themeluesi i padiskutueshëm i kuzhinës gjermane dhe shef i njohur i klasit botëror, që të gjithë e dinë, është Heinz Beck, i cili po punon aktualisht në Itali. Përmendim edhe Christoph Bob, Guido Haverkok apo Oliver Gloëig, gjithashtu të talentuar”, citon artikulli në fjalë.

Ata përmenden për receta tipike të mirëfillta të Mesdheut të sofistikuar si pilaf me lëng pule me limon; ravioli dhe borzilok në salcë domate; makarona dhe patate me djathë të tymosur ose karavidhe; pëllumb me fruta të thata dhe ullinj etj.

Ndërkaq, edhe enët që kuzhinierët gjermanë përdorin thuhet se shprehin ashpërsi dhe një përvojë solide teknike, që dallon nga enët e fantazisë italiane.

n.e/NOA

KOMENTE