Prishtinë, 24 gusht 2011, NOA - Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, tha në Prishtinë se Beogradi duhet të rifillojë dialogun me Kosovën e të shpërbëjë strukturat paralele në veri, nëse dëshiron të fitojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kryeminstrja e Kroacisë po viziton Kosovën në kohën e thellimit të tensionimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pas zhvillimeve një muaj më parë në veri të Kosovës dhe ndalimit të futjes së mallrave serbe në Kosovë.
E shoqëruar nga 45 biznesmenë kroat, Jadranka Kosor po merr pjesë në Prishtinë në forumin ekonomik, Kroaci-Kosovë, ku u nënshkruan tri marrëveshje bileterale në fushën e ekonomisë, transportit dhe integrimeve evropiane. Jadranka Kosor gjatë një konferencë të përbashkët me kryeministrin Hashim Thaçi, tha se Kosova mund të llogarisë me Kroacinë si një ndër shtetet më mike të saj në rajon, duke thelluar miqësinë tradicionale që këto dy vende e kanë pasur edhe në të kaluarën. "Kroacia është një ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e cila ka për synim ndërtimin e paqes në Ballkan dhe kjo është rruga të cilën ne e përkrahim. Për Kroacinë është shumë e rëndësishme që Kosova garanton të drejta të njëjta për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie", tha Jadranka Kosor.
a.q/NOA