Partia Socialiste duhet të ndërtojë një strategji për të fituar betejat elektorale dhe jo të shpresoj për fitore të lodhja e kundërshtarit. Kjo është deklarata e deputeti , Arben Malaj, në lidhje me pritshmëritë e aksionit opozitar dhe mënyrën sesi duhet organizuar Partia Socialiste. Anëtari i Kryesisë thekson se kongresi i partisë dhe procesi i rifreskimit të strukturave duhet të jenë etapat e krijimit të një strategjie fituese. Sipas tij, ta bazosh aksionin politikë në pritje deri sa “të lodhet kundërshtari do të thotë të dëmtosh rëndë anëtarësinë”. Në një intervistë dhënë sot për televizionin “ABC News”, Malaj i është përgjigjur dhe pyetjes në lidhje me kursin e ri politik të propozuar nga kreu i PS-së, Edi Rama. Ai ka theksuar se në fazën aktuale, kjo tezë politike është e ende e pa argumentuar qartë dhe duhet të paraqitet në struktura dhe organet partiake. “Raporti im me kursin politik të ri është një raport me partinë dhe institucionet kushtetuese të vendit, nuk është një raport individual me Ramën. Të shprehesh në një deklaratë apo në një artikull është një moment, por ajo që realisht kërkohet, sepse jemi gati 10 ditë larg fillimit sesionit parlamentar, është mbledhja imediate e forumeve të PS, prezantimi i koncepteve të kursit të ri politik dhe, konkretizimi i tij”, tha Malaj, duke shtuar se ky kurs “deri tani është një i pamjaftueshëm për të dhënë një gjykim”. Duke folur zhvillimet e brendshme në Partinë Socialiste, Malaj ka theksuar se nuk janë debatet e brendshme ato që e dëmtojnë partinë më të madhe në opozitë, por mungesa e një strategjie dhe një modeli që do t’i sjellë asaj sukses elektoral. Malaj shton se modeli i të bërit opozitë gjatë këtyre viteve do të përcaktojë dhe fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Malaj ka folur dhe për bashkbisedimin e zhvilluar me simpatizantët dhe anëtarët e PS në disa qytete të vendit. “Bashkëbisedimi do të jetë për parimet themelore të hapjes së PS. PS nuk mund të jetë parti e kryetarëve të bashkive dhe të zgjedhurve me 3-4 mandate”, tha ai. I pyetur mbi kritikat apo nga deputetë të tjerë të PS-së në lidhje me këtë tur, Malaj ka shtuar se po ushtron funksionet si një politikan, “për të takuar nga afër qytetarët dhe për të diskutuar mbi atë se çfarë mund të bëhet më mirë për vendin dhe për partinë”.Ai kritikon dhe qëndrimin e mazhorancës në lidhje me raportin zgjedhor. Sipas tij nuk duhet të kapitalizohet përfundimi i raportit të OSBE/ODIHR si sukses, kur në fakt në dokument ka shumë kritika dhe detyra për reformën zgjedhore. “Është shumë shpejt që mazhoranca ta shesë këtë raport si certifikim të suksesit të saj. Nuk duhet të nxitojë dhe as të vetëgëzohet. Strategjia e çdo mazhoranca për të denigruar opozitën nuk është ajo që e ndihmon për të qeverisur në një plan afatgjatë”, tha Malaj. Ai i ka theksuar se klasa politike duhet të punojë për përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe të mos zihet për detajet e raporit. a.k/NOA