English

Ngopje me lugën zbrazur

Nga Artan Hoxha

1. Raporti i OSBE/ODIHR-it, ndër të tjera, u shpreh për inkoherenca dhe boshllëqe në arsyetimet e tri vendimeve të Kolegjit Zgjedhor lidhur me Tiranën. Kaq mjaftoi që Rama dhe të tijtë të shpreheshin se raporti konfirmoi manipulimin. Gjetën këtu prehje të ndërgjegjes edhe analistë që u rreshtuan në debat krah tezave dhe pretendimeve të opozitës. Nuk ia vlen më të merresh me detin, po i quaj me delikatesë, të inkoherencave dhe boshllëqeve në arsyetimet e njëpasnjëshme të këtyre, tok e veç, përballë të cilave, tri inkoherencat e Kolegjit, edhe nëse i pranojmë pa vërtetim, janë veçse tri pika uji. Le të merremi vetëm me disa nga konstatimet e raportit.

2. Ndërsa rekomandimi i raportit për vlefshmërinë e votave të hedhura në kutinë tjetër, në përputhje me parimin e vullnetit të votuesit të vetë OSBE-së, i vë kapak kësaj çështjeje për të ardhmen, lidhur me të ashtuquajturën “ndryshim i rregullave në mes të garës”. Raporti në faqen 25 thotë: “Duket se votat e hedhura gabim janë konsideruar të pavlefshme nga grupet e numërimit në të gjithë vendin…”. Raporti nuk është i saktë. Në bashkinë Berat i kanë quajtur të vlefshme, pikërisht në këto zgjedhje, përpara datës 14 maj. Kontestimet për këto vota në Tiranë fillojnë që më datë 12 maj, ora 12:30. Nuk janë informuar OSBE/ODIHR-i, apo i kanë harruar këto fakte? Duket që e kanë monitoruar numërimin në KZAZ-në Nr. 1 të Beratit. Atëherë, cilat rregulla qenkan ndryshuar në mes të lojës? Kolegji këtë thotë në vendimin e parë, që s’ka pasur një rregull, ndaj s’ka se si të jetë ndryshuar. Paska pasur dy të këtilla. Cili ka boshllëqe në informacion dhe/ose në arsyetim?

3. Ja ta zëmë se është kështu. Pra, rregulli, qoftë edhe i gabuar, kundër parimeve dhe/ose ligjit, duhet çuar deri në fund? Siç nisi të bitisi! Veç rregulli të mos ndryshojë! Nëse ju lexues do merrnit pjesë në një konkurs dhe konstatoni se një rregull i tij është i paligjshëm dhe kjo ju rrezikon ta humbisni konkursin, a nuk do të kërkonit që të ndreqej ky defekt një orë e më parë, para mbylljes së tij ose të vlerësimeve? Ç’do mendonit nëse do t’ju thoshin se nuk ndreqet pasi kështu ka nisur e kështu do bitiset? Korrigjimi duhet bërë me nismë nga vetë organi administrativ, sapo të konstatojë gabimin, e jo më kur kjo kërkohet nga një palë e prekur. Është parim bazë administrativ. Cili është inkoherent me këtë parim?

4. Në faqen 28 raporti thotë se “Kolegji gjykoi se Vendimi 709 i KQZ-së nuk përbën një akt normativ, megjithëse pranon se ai rregulloi një situatë të re”. Në vendimin në fjalë të Kolegjit, faqe 18, thuhet se “… KQZ-ja nuk ka normuar rregulla të reja sjelljeje, por ka zgjidhur një situate të re, të patrajtuar më parë, situatë e krijuar në një moment të caktuar zgjedhor”. Krahasojini. Kush ka sy për të parë dhe mend për të vrarë, i dallon kuptimet e ndryshme të shprehjes “situatë e re” apo “rregulloi” me “ka zgjidhur”. Më thoni nëse kemi të bëjmë me ndonjë inkoherencë të Kolegjit apo me ndonjë keqkuptim të autorëve të raportit?! Lexoni paragrafin e tretë, në faqen 24 të raportit, dhe do të arrini në përfundimin se arsyetimi i Kolegjit është në koherencë me raportin, ndërsa vetë ky nuk është në koherencë me vetveten.

5. Po në faqen 28 të raportit thuhet se “Kolegji pranoi se KQZ-ja veproi si KZAZ, por pa sqaruar bazën ligjore”. Në arsyetimin e Kolegjit, faqe 15-17, përmendet baza ligjore, përfshirë nene specifike të Kodit, si p.sh. neni 21 dhe 22. Mbi këtë bazë, KQZ-ja kreu hetim administrativ mbi 117 kuti të 108 qendrave, bazuar në informacione zyrtare që rezultuan të sakta, të ardhura nga KAZA-të dhe grupet përkatëse të numërimit. E drejta, njëkohësisht detyrimi, për të kryer hetim administrativ me nismën e tij është një e drejtë universale e çdo organi administrativ. Aq më shumë për KQZ-në si organi në krye të hierarkisë së administratës zgjedhore.

6. Hetime administrative KQZ-ja ka bërë në çdo zgjedhje para dhe pas datës së votimit, para dhe pas numërimit. I është dashur të kryejë edhe punët e komisioneve më të ulëta kur këto janë bllokuar dhe situata kërkonte zgjidhje. Është përgëzuar dhe inkurajuar për këtë nga vetë OSBE/ODIHR-i. KQZ veproi si KZAZ edhe për regjistrimin e kandidatëve Rama, Basha dhe Milloshi, megjithëse s’ka asnjë nen të Kodit që ia jep këtë kompetencë shprehimisht. Edhe për plot veprime të tjera. A nuk u tha që precedenti ka vlerë?! Pse jo edhe në këtë rast? Cili bie në inkoherencë atëherë?

7. Lidhur me vendimin pasues të Kolegjit në faqen 29 raporti shprehet se “me urdhrin për hetim që nuk ishte kërkuar nga asnjë nga palët, Kolegji duket se kaloi kompetencat. Inkonsistenca e këtij vendimi me atë nr. 49 të Kolegjit u vu në pah edhe nga gjyqtarët që votuan kundër”. Në fakt, me këtë vendim, Kolegji pranoi pjesërisht kërkesën e PS-së dhe anuloi Vendimin 711 të KQZ-së, që e nxirrte Lulzim Bashën 80 vota para Edi Ramës. Por jo për shkaqet e pretenduara nga PS-ja të shkeljeve ligjore, por për shkakun se prishej uniformiteti i trajtimit të votave, cilësisht të njëjta. Cenimi i uniformitetit u pretendua edhe nga PS, por për qëllimin e kundërt. Kolegji nuk e anuloi Vendimin 709, as për pavlefshmëri relative tashmë. Pra, Basha mbetej gjithsesi 80 vota para Ramës. Kolegji urdhëroi që metoda e Vendimit 709 të shtrihej në të gjitha qendrat/kutitë e tjera.

8. Në 108 qendra e 117 kuti, votat e hedhura gabim u quajtën të vlefshme, ndërsa kishte plot të dhëna dhe ishte plotësisht e logjikshme që të kishte edhe plot të tjera të pavlerësuara siç duhej. Urdhërimi ishte pasojë e shkakut të rrëzimit të Vendimit 711. Cenimi i uniformitetit. Nëse s’do të kishte një urdhërim të tillë, Kolegji do të binte në inkoherencë me vetveten. Apo, mos raporti kërkon të thotë që treshja e gjyqtarëve duhej të votonte si dyshja kundër, pra çështja të mbyllej aty për aty dhe Basha të mbeste 80 vota para? Për këtë i gëzohen majtas raportit? As kjo zgjidhje s’do ish gabim, në fakt. Shpesh, për një çështje, ka dy e më shumë zgjidhje njësoj të ligjshme.

9. Vendimi i dytë i Kolegjit u provua plotësisht i drejtë. Në më shumë se 1700 kuti u gjendën mbi 2200 vota të ngatërruara që u trajtuan njësoj si ato rreth 750 të parat. Uniformiteti u arrit. Po kështu u eliminuan dhe të ashtuquajturat mospërputhje bilancesh nga veprimi i parë i pjesshëm i KQZ-së, kur u hapën kryesisht vetëm kutitë për kryetarët e njësive bashkiake. Të dhënat janë. Prova është bërë. Mos duhej që Kolegji të urdhëronte rinumërimin e mbi 250 mijë votave e të mbi 250 mijë firmave të votuesve? Kjo po, që nuk ishte kërkuar nga palët. Ju kujtohet që PS thoshte se rezultatet ishin certifikuar nga 485 procesverbalet e grupeve të numërimit më 14 maj? Cili është inkoherent, pra: Kolegji, PS, apo raporti?

10. Lidhur me vendimin e tretë të Kolegjit, raporti shprehet se “kundërshton vendimit e vetë Kolegjit për anulimin e Vendimit 711 të KQZ-së”, pa sqaruar as kundërshtinë dhe as pasojat e saj. Le ta pranojmë se raporti vlerëson se anulimi i Vendimit 711 rikthen të drejtën e ankimit për pavlefshmëri. Te rekomandimet, raporti nuk thotë asgjë për këtë. Çudi! Të jetë kaq i qartë në kritikë dhe kaq i paqartë në rekomandim? Të shohim, gjithsesi, se çfarë do të sugjerojnë kur të amendohet Kodi lidhur me këtë çështje. S’besoj se i ka lënë mendja që të prishin rregullin logjik të sotëm të Kodit, që po fillove të ankohesh për rezultatin, s’ka më kuptim të ankohesh për pavlefshmërinë. Rregull që e kanë rekomanduar po vetë në 2005-n. Ndryshe, çorap do bëhen zgjedhjet, ne dhe ata.

11. Çështja nuk është nëse vendimet e Kolegjit, në arsyetimin e tyre, kanë inkoherenca dhe/ose boshllëqe, por nëse këto i bëjnë vendimet e paligjshme. Ky po do të ishte problem. Raporti nuk shprehet për këtë. Cenet në arsyetim nuk janë problem kaq i madh sa tentohet të komentohet. Nuk ka teori a filozofi që të mos ketë kufizime, inkoherenca e boshllëqe. As ligje dhe as vendime. Qofshin edhe të vetë gjykatave të sistemeve gjyqësore të vendeve më të zhvilluara. Ndryshe s’do kish apelim. As vetë librat e shenjtë nuk janë koherentë, përkundrazi, plot me inkoherenca e boshllëqe. Nga ky defekt nuk shpëton as vetë raporti i OSBE/ODIHR-it. As unë, natyrisht.

12. Gjithsesi, opozita duket e kënaqur nga raporti. Edhe avokatët juridikë dhe mediatikë të saj. Qoftë nëse po kënaqen me “lugën e zbrazur” të raportit apo se po i gëzohen “gozhdës së Nastradinit”, ç’rëndësi ka! E rëndësishme është sjellja nga shtatori e paskëtaj. Llafet i merr era. Veprimet dhe pasojat e tyre do mbeten. Qofshin ato të duhurat. Nuk kanë tjetër rrugë nëse duan të garojnë me shans për sukses. Vlen edhe për maxhorancën. Në 2013-n fiton ai që do të jetë më konstruktiv. Është kaq e thjeshtë sa s’ka. Ndryshe, të dy kokëfortë, fiton më i forti. Dihet se cili është.

KOMENTE
  • Alban Memushi16:07 - 24 Gusht 2011
    Kafsha me njerin kane shume gjera te perbashketa kane kem ,duar, sy ,vesh ,hunde e shume gjera te tjera . Por njeriu ndryshon nga kafsha se ka mendje me te zhvilluar ai mendon . Ti me ket shkrim qe ke bere me dukesh nje cop mish me dy kocka . Je nje i pacipt nje hajvan qe se shokun i shok ke plot i shikon hajvanet te mbledhur pas interesave te berishes . Ti nuk meriton as sharje ,shiko veten ne pasqyre sa posht ke rene aq poshte me kermat se dhe ti ne te vertet je nje kerme.