English

Parashikimi i motit për 25 gusht 2011

Tiranë, 24 gusht 2011, NOA- Edhe nesër moti i qëndrueshëm do të dominojë në të gjithë territorin shqiptar. Dita do të nisë me kthjellime në të gjithë vendin por duke ju afruar mesditës parashikohet të ketë kalime vranësirash në veri dhe qendër të territorit.

Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës do të vijojë me të njëjtat kushte meteorologjike ku moti i kthjellët do të jetë dominues në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Përjashtim bëjnë zonat malore juglindore të cilat do të kenë të pranishme vranësira të herë pas hershme. Në mbrëmje dhe gjatë natës i gjithë vendi do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët.

Temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime të dukshme në vlerat e mëngjesit por mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të tyre në të gjithë vendin.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 16 km/h dhe drejtim Perëndimor – veriperëndimor duke sjellë dallgëzim 2 ballë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.

Europa

Nesër, Europa veriore dhe Ishujt Britanike do të dominohen nga vranësira dhe shira me intensitet të lartë. Në këto zona problematike do të jenë edhe stuhitë e forta të erës. Po ashtu me vranësira dhe shira të dendur do të jenë vendet e Balltikut sidomos gjatë pjesës së dytë të ditës. Europa Qendrore dhe zona e Alpeve do të vijojnë të mbeten me kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat dhe shirat do të jenë prezent gjatë gjithë ditës, por në këto zona nuk do të mungojnë edhe intervalet e shkurtra me kthjellime. Për sa i përket pellgut të Mesdheut sërish masat ajrore të thata dhe të nxehta nga Afrika do të dominojnë në këtë zona.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Ishujt Britanike do të mbeten me shira intensive dhe stuhi ere

- Europa Qendrore rrezikohet nga stuhi të forta ere dhe shira

- Zona e Alpeve do të mbetet me shira të dobët dhe stuhi ere

- Mesdheu Perëndimor alarmon temperatura ekstremisht të larta

a.y/NOA

KOMENTE