Tripoli, 24 gusht 2011, NOA - Sipas Pentagonit Muamar Gadafi ndodhet ende në Libi, ndërsa nëpërmjet televizionit libian al Orouba, vajza e Muamar Gadafit, Aisha u ka bërë apel popullit të bashkohen kundër NATO-s dhe forcave të jashtme.
"I kërkoj popullit libian të përballet me forcat e NATO-s. Të mos ketë frikë nga forcat e armatosura", tha Aisha. Ndërsa sot pasdite janë liruar 35 gazetarët e huaj të mbajtur peng, prej 4 ditësh, në hotelin Rixos. Sipas Al Arabia, forcat e Gadafit po tërhiqen nga hoteli dhe Kryqi I Kuq do të nisë evakuimin e gazetarëve. Rreth orës 17.00 rrjeti informativ CNN tha se NATO po transporton forca speciale të Britanisë së Madhe, Francës, Jordanisë e Katar në terren për të ndihmuar kryengritësit.
Por, zëdhënësi i NATO-s nuk konfirmon lajmin e transmetuar nga CNN për prezencën e forcave speciale në Libi.
a.q/NOA