Tiranë, 24 gusht, NOA – Filmat e Arkivit Qendror do të shfaqen në komunë Novoselë të Vlorës. Një marrëveshje e firmosur mes drejtoreshës së AQSHF, Elvira Diamanti dhe Kryetarit të Komunës Novoselë, Kanan Shakaj, synon njohjen e kinemasë jo vetëm në qytete kryesore, por edhe në zona ku kinemaja është e harruar prej kohësh.
Kontratë Bashkëpunimi përfshin shfaqjen e filmave shqiptarë nga fondi i AQSHF në Kinemanë e Komunës Novoselë. Shefja e Redaksisë së Arkivit të Filmit, Eriona Vyshka, shprehet se me anë të këtij bashkëpunimi, AQSHF synon të përhapë kulturën filmike dhe të promovojë prodhimet më të reja të kinemasë shqiptare edhe në zonat larg kryeqytetit, të cilat kanë një popullsi aktive, të re dhe mjaft dinamike, duke u dhënë atyre mundësinë të shijojnë projeksionet e filmave në ekranin e madh.
Filma shqiptarë, të prodhuar këto 7 vitet e fundit, si “I dashur armik” i Gjergj Xhuvanit, “Gjoleka, djali i Abazit” Dhimitër Anagnosti, “Mao Ce Dun”, Besnik Bisha, “Trishtimi i znj. Shnajder” Piro&Eno Milkani, “Koha e Kometës” Fatmir Koçi, “Gjallë” Artan Minarolli, “Lindje Perëndim Lindje” Gjergj Xhuvani, etj. do të jenë pjesë e një kalendari shfaqjesh të hartuar nga zyra e programim zhvillimeve të Komunës nën kujdesin e znj. Dafina Davidhi. Znj. Davidhi tha se vëren një interesim goxha të madh për këtë aktivitet i cili do të fillojnë ditën e premte, datë 26 gusht, me shfaqjen e filmit “Gjallë” të regjisorit Artan Minarolli.
Shfaqjet janë të karakterit promovues, edukativ e informues dhe nuk kanë asnjë qëllim përfitimi monetar as nga ana e AQSHF dhe as nga ana e Komunës, duke zbatuar kështu kuadrin ligjor mbi të cilin funksionon AQSHF si edhe kontratat e bashkëprodhimit të produksioneve të cilat do të jenë në program.
Vyshka shton se të gjithë producentët janë njoftuar dhe është marrë miratimi i tyre për këtë aktivitet. Në rastet kur për ndonjë prodhim kinematografik ka pasur pengesa që rrjedhin nga kushtet e për distribucion në kontratat e bashkëprodhimit, AQSHF nuk do t’i shfaqë ato duke respektuar kështu, të drejtën e pronësisë dhe të autorëve dhe duke treguar seriozitet në veprimtarinë saj të bazuar në ligj.
Gjatë takimit, kryetarit Shakaj iu dhurua për arkvin e Komunës një dvd me materiale arkivale që paraqesin jetën dhe punën e banorëve të Novoselës në vitet 1958 dhe 1965.
Komuna Novoselë e rrethit Vlorë, përfshin 12 fshatra me një popullsi rreth 15591 banorë. Restaurimi dhe vënia në funksionim e ish shtëpisë së kulturës në Komunën e Novoselës u bë i mundur nga Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal "Auleda" e cila ka kryer një investim modest por të rëndësishëm, në përshtatjen e infrastrukturës së ish shtëpisë së kulturës duke e kthyer atë në kinema dhe sallë shfaqjesh për aktivitete te ndryshme kulturore.
Arkivi i filmit kërkon të sensibilizojë të gjtha komunat e Republikës së Shqipërisë ku ekziston një sallë kinemaje, sado modeste qoftë, të kërkojnë bashkëpunimin institucional me të për shfaqjen e filmave shqiptarë. Të gjithë administruesit e këtyre kinemave do të gjejnë nga stafi i specializuar i Arkivit të Filmit mbështetje, bashkëpunim maksimal si dhe asistencë për ndërtimin e programeve kulturore për banorët e tyre.
NOA