Nga Bruce Crumley Nëse avancimi dramatik gjatë ditëve të kaluara, i cili ka shpier kundërshtarët e udhëheqësit të Libisë, Muammar Gaddafi, fillimisht në afërsi, e më pas edhe në brendi të Tripolit, ka nxitur vetëm reagime të kujdesshme të udhëheqësve perëndimor, ka gjasa të mira që këta zyrtarë të tregojnë privatisht më shumë emocione për konfliktin, i cili sipas të gjitha gjasave po i afrohet fundit.
Sidoqoftë, për aq kohë sa të zgjatë ky lehtësim dhe gëzim. Ngase nëse rënia e regjimit të Gaddafit do të heshtë kritikat, në lidhje me mençurinë e intervenimit të kryesuar nga NATO në luftën qytetare në Libi, tranzicioni nga regjimi brutal deri te qeveria post-diktatoriale padyshim do të ngritë pyetje për atë se si e ka trajtuar bashkësia ndërkombëtare sfidën e quajtur Libi-dhe se a i ka arsyetuar epilogu këto përpjekje.
Deri te hënën pasdite, dukej qartë se përparimi i shpejtë i kryengritësve libianë, të cilët depërtuan të dielën thellë në Tripoli, pothuajse i kanë dhënë fund regjimit 42 vjeçar të Gaddafit. Sipas raporteve të së hënës, kryengritësit kanë vënë nën kontroll pothuajse tërë kryeqytetin dhe u theksua se ata kanë arrestuar edhe dy djemtë e Gaddafit.
Ky përparim i jashtëzakonshëm, pas muajve të tërë të luftës qytetare, nxitën presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy dhe kancelarin e Gjermanisë, Angela Merkel, që të përsërisin apelet e tyre të mëhershme të tyre drejtuar Gaddafit, që ai të largohet nga pushteti, nga lufta e tij e pashpresë, me qëllim që të ndalet gjakderdhja e mëtutjeshme në Libi.
Ngjashëm, presidenti amerikan, Barack Obama, tërhoqi vërejtjen se Muammar Gaddafi dhe regjimi i tij duhet të kuptojnë se pushtetit të tyre i ka ardhur fundi.
Duke pasur parasysh konfuzionin dhe kaosin e ngjarjeve në Libi, është vështirë të shpjegohet se si ja arritën kryengritësit të transformojnë ngecjen e tyre të mëhershme, në luftën kundër forcave besnike të Gaddafit, me aq shpejtësi në një ofensivë fitimtare. Në bazë të raporteve në New York Times, përparimi gjatë disa javëve të kaluara është rezultat i koordinimit dhe planifikimit ndërmjet sulmeve ajrore të NATO-s dhe ofensivës tokësore të kryengritësve libianë.
Më herët, Franca dhe Britania dërguan këshilltarë ushtarak, për të asistuar dhe trajnuar kundërshtarët e Gaddafit, me Parisin i cili më vonë pranoi publikisht se ka furnizuar kryengritësit me armë. Vendimet e fundit të Washingtonit dhe Londrës, për të ndjekur shembullin e Parisit për të njohur si legjitime opozitën libiane, rezultoi me dërgimin e miliarda dollarëve të ngrirë të Gaddafit jashtë vendit në Bengazi, kryeqytetin e kryengritësve, me qëllim që këto mjete të përdorën nga opozita për luftë.
“Ky përparim i papritur nga ana e kryengritësve ishte një shenjë se trajnimi, financimi dhe armatimi i tyre kanë filluar të shpaguhen, por gjithashtu pasqyron faktin se një vendim i qartë politik është marrë në kryeqytetet perëndimore, që kjo fushatë të përfundohet sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thotë Karim Emile Bitar, specialist për Lindjen e Mesme në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Strategjike në Paris. Për momentin, nuk ka arsye për të dyshuar në përparimin, e arritur nga kryengritësit. Në ndërkohë, debati i intensifikuar rreth ligjshmërisë së aktiviteteve të NATO-s, me gjasë nuk do të ketë fuqi të madhe tërheqëse në opinionet publike në Perëndim, të cilat që moti kanë kuptuar se misioni kishte për qëllim përmbysjen e regjimit të Gaddafit.
Marrë nga "The Time"