Sarandë, 24 gusht 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi është ndalur në qytetin e Sarandës ku ka zhvilluar një vizitë pune me kryebashkiakun e këtij qyteti, Stefan Çipa ku e uroi atë për marrjen e detyrës.
Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, Presidenti Topi vlerësoi bashkëjetesën qytetare, traditën e mikpritjes, vlerat kulturore e historike, të cilat konstatohen lehtësisht nga çdo vizitor i qytetit të Sarandës.
Më tej ai u uroi suksese të zgjedhurve të qeverisjes vendore në administrimin dhe mbarëvajtjen e punëve për të bërë hapa përpara në zhvillimin e qytetit të Sarandës, që siç e cilësoi ai është një vend tepër i dashur dhe i çmuar për të gjithë shqiptarët dhe sidomos për dashamirësit e turizmit bregdetar e historik.
Kreu i shtetit u shpreh i bindur se Saranda do të vazhdojë të jetë një model i zhvillimit harmonik mes resurseve të rralla e të pafundme natyrore-bregdetare e historike dhe perspektivës ekonomike, bujqësore, të frutikulturës, etj., çfarë duhet të vijojnë të jenë pjesë thelbësore në projektet konkrete të së ardhmes.
Në vijim të qëndrimit të tij në këtë qytet, Presidenti Topi vizitoi dhe vlerësoi artin e paraqitur në punimet e piktorëve sarandjotë të shpalosura në ekspozitën “Mbresa nga Saranda”, që vijon të jetë e hapur në Muzeun Etnografik të qytetit të Sarandës.
Githashtu, Presidenti vizitoi dhe Qendrën e Procesimit të Midhjeve, ku u njoh me disa nga proceset kryesore dhe bashkëkohore të përdorura në këtë Qendër për pastrimin, përpunimin dhe ambalazhimin e midhjes.
Sakaq Presidenti Topi ndau me stafin drejtues të saj përshtypjet më të mira për iniciativën, përkushtimin, seriozitetin dhe vëmendjen me të cilën trajtohet kjo ndërmarrje, e cila tashmë ka krijuar një traditë dhe një emër të vlerësueshëm tek konsumatori.
a.y/NOA