Përmet, 25 gusht, NOA – Aksidentet automobilistike i kanë marrë jetën një tjetër personi. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor aksin Çashovë-Biovizhdë në Përmet.
Viktima është 35 vjeçari Gentian Hyseni dhe i plagosur ka mbetur Altin Hasani. Dy personat udhëtonin me një kamion. Sipas raportimeve të para mësohet se kamioni ka dalë nga rruga, çka ka sjellë dhe përplasjen fatale për 35-vjeçarin që drejtonte automjetin me targa të Përmetit, PR 07 10 B.
Pas marrjes së njoftimit nga policia, forcat e rendit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur transportimin e 35-vjeçarit në Spitalin e Përmetit.
Pasagjeri i plagosur mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet paraprake të policisë mësohet se shkak për aksidentin dyshohet të ketë qenë një defekt në sistemin e frenimit të mjetit.
a.k/NOA