Tiranë, 25 gusht 2011, NOA/Albana Qehajaj – Editorialet e ditëve të fundit të kryesocialistit Rama kanë hapur një debat të ri në median shqiptare. Kryeministri Berisha i është drejtuar më një letër publike disa prej të përditshmeve, të cilat në faqet e tyre të para sot kishin botuar disa vargje nga Arshi Pipa.
Në letrën e tij Berisha sqaron se, këto gazeta kanë gabuar në përzgjedhjen e vargjeve.
“Me këtë letër dua t’ju garantoj se vargjet që ju citoni në gazetat tuaja nuk janë absolutisht asnjeri nga dy vargjet që unë përzgjodha dhe i sugjerova zotit Rama për t’i lexuar si përgjigjen time ndaj letrës së tij. I bindur se gazetarët në veprën e Pipës "Stalinizmi Shqiptar" do të përzgjidhnin sipas shijeve të tyre vargje të tjera nga ato që unë kisha ndërmend, dje iu luta atyre që ata të mos i lexonin dhe të mos ju referoheshin fare vargjeve të librit në fjalë. Meqenëse këtë kërkesë nuk e keni marrë parasysh, unë njerëzisht ju lutem juve, të botoni në gazetat tuaja këtë sqarim timin”, thekson në letrën e tij kryeministri Berisha.
a.q/NOA