Prishtinë, 25 Gusht 2011 NOA – Përpjekja e një hajduti të dhunshëm në Prishtinë për të plaçkitur një qytetare të pambrojtur, u shoqërua me sulm nga kalimtarë të rastësishëm që u vunë në mbrojtje të viktimës.
Ngjarja ndodhi në orën 20.15 të ditës së djeshme në rrugën “Isa Kastrati” të Prishtinës, pranë Varrezave të Dëshmorëve, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Ka qenë një person i cili i ka zënë pritë një gruaje dhe i ka rrëmbyer dhunshëm çantën e krahut. Grabitja ndodhi në momentet kur në rrugë kishte lëvizje jo vetëm të qytetarëve por edhe forcash policore, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Në një moment që gruaja ka bërtitur duke kërkuar ndihmë, ka vrapuar një kalimtar i cili i është sulur agresorit në përpjekje për ta kapur dhe t’i marrë çantën që vodhi.
Kalimtari ka arritur ta ndalë dhe ta gozhdojë në vend agresorin. Ndërkohë aty pranë është gjendur dhe një punonjës policie i cili ka rendur për të dhënë ndihmë.
Ai njoftoi njësinë patrulluese e cila në pak minuta erdhi dhe i vuri prangat hajdutit.
I dyshuari me urdhër të Prokurorit është dërguar ne Qendrën e ndalimit, kurse gruaja e shokuar nga ngjarja është kthyer në shtëpi, e shoqëruar nga policia e cila u përpoq t’i jepte ndihmë psikologjike.
a.b/NOA