English

Hoxhaj- Reichel: Gjermania kërkon përkushtimin e Kosovës për dialogun

Prishtinë, 25 gusht 2011, NOA- Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj gjatë ditës së sotme priti në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel.

Në këtë takim, ambasadori Reichel u shpreh se, “Kancelarja Merkel të mërkurën në Beograd ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta pranojë realitetin në Kosovë dhe të heq dorë nga strukturat paralele në veri dhe që të mundësojë shtrirjen e aktivitetit të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës”. Sipas Ambasadorit Reichel, qëndrimi gjerman lidhur me veriun e Kosovës, i thënë edhe nga Kancelarja Merkel në Beograd do të jetë i vazhdueshëm, deri në arritjen e synimeve për tërheqjen e strukturave paralele në veri të Kosovës dhe shtrirjen e aktiviteteve të EULEX-it. Ai theksoi gjithashtu se shteti gjerman kërkon nga Qeveria e Kosovës që të jetë e përkushtuar në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë në gjetjen e zgjidhjeve që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Nga ana e tij ministri Hoxhaj u shpreh se, “Gjermania gjithmonë ka pasur qëndrime konsistente për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Qëndrimet e Kancelares Merkel dhe shtetit gjerman janë po ato të popullit dhe shtetit të Kosovës. Shpërbërja e strukturave ilegale paralele në veri të Kosovës do të mundësoj paqe dhe bashkëjetesë. Prandaj, stabilizimi i gjendjes në veri, duhet të bëhet përmes implementimit të Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Më tej ai tha se, në asnjë vend të Evropës, nuk ka shtete që mundohen të kontrollojnë territore të shteteve tjera, prandaj shtoi ai kjo praktikë duhet të përfundojë.

a.y/NOA

KOMENTE