Më thuaj se cila bimë ka çelur lulet e saj ndërsa unë ta them sa është ora. Ky fenomen njihet si ora e luleve. Por matja jo e zakonshme e kohës funksionon korrekt vetëm nëse bletët janë të sakta
Brigitte Osterath
Natyralistit suedez Carl von Linné i duhej vetëm të shikonte nga dritarja një parcelë lulesh për të cilën përkujdesej vetë për të ditur se sa është ora. Thuhet se ai mund ta lexonte kohën nga parcela e luleve me saktësi deri në pesë minuta. Kjo për faktin se llojet e ndryshme të bimëve çelin në kohë të ndryshme të ditës: gjëmbaçi diku në mëngjes prej orës gjashtë deri në ora 12, tërfili i pyllit mes orës 10 dhe 16, lulja e lëpushtrës së kënetës qëndron e hapur nga ora 8 deri në ora 21.
Por ajo çfarë nuk e dinte atëherë ende Carl von Linnè ishte se këtyre kohëve i qëndrojnë besnike këto bimë vetëm nëse lulet e tyre pjalmohen me kohë nga insektet.
Jo aq e besueshme sa është menduar
Gati 300 vjet është besuar se çelja e luleve varej kryesisht nga ajo se sa dritë dhe sa ngrohtë është. Një ndikim të vogël mendohej të kishte edhe lagështia e ajrit dhe e ashtuquajtura ora e brendshme e bimës. Megjithatë një rol të madh e luan po ashtu nëse lulja është vizituar nga insektet pjalmuese. Në këtë përfundim kanë ardhur hulumtuesit e Universitetit Göttingen.
Lulja e malit me emrin latinisht Crepis capillaris, mbyll lulet e saj të verdha në rrethana normale, nëse të pranishme janë mjaft bletë, rreth orës 13. Në parcelat të cilat hulumtuesit i kanë mbyllur me kafaze me pëlhurë kundër të gjitha insekteve është vërejtur se Crepis capillaris mban të hapura lulet e tij deri në ora 19, siç duket deri atëherë lulet presin që të pjalmohen. Natën të gjitha lulet rregullisht qëndrojnë të mbyllura pavarësisht vizitës së bletëve. Kur ishin të pranishëm pjalmuesit interesoheshin për lulen e malit Crepis capillaris kryesisht mes orës 10 dhe 11, pasdite në radhë ishin lloje të tjera të luleve, shkruajnë biologu Jochen Fründ dhe kolegët e tij.
Kjo mund të shpjegohet kështu, bimët i hapin lulet e tyre për insektet në kohë të ndryshme, ato konkurrojnë më pak me njëra-tjetrën dhe pasdite bletët drejtohen automatikisht aty ku nuk ka pasur pjalmim paradite. Një bimë me lule të mbyllura humb po ashtu më pak ujë.
Pa pjalmim ora e luleve ecën më ngadalë
Vetëm tek një specie, përkatësisht te luleradhiqja e zakonshme "Taraxum officinale", pllenimi nuk ndikon tek mbyllja e luleve. Nuk është çudi, pasi luleradhiqja shumëzohet pa gjini. Në këtë mënyrë ajo i përmbahet saktësisht orarit të çeljes së luleve.
Se si rreh ora e luleve, sipas shkencëtarëve të Göttingenit varet nga shumë faktorë. Por një gjë është e qartë, pa pjalmim ora e luleve ecën më ngadalë.