Tiranë, 25 gusht 2011, NOA- Transplanti i dytë i veshkave i kryer në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, ka përfunduar me sukses.
40 vjeçari Afrim Kajoshi, ishte pacienti i dytë i cili një muaj e gjysmë më parë iu nënshtrua transplantit të veshkës ndërsa ditën e djeshme ka lënë spitalin për të kryer një jetë më se normale në qytetin e tij të lindjes, Shkodër.
Mjekët e shërbimit të Urologjisë dhe Nefrologjisë e kanë konsideruar këtë ndërhyrje si shumë të vështirë por edhe ndër më të suksesshmet për vetë faktin se pacienti pas ndërhyrjes ka dhënë një sërë problemesh të cilat kanë kapërcyer me sukses.
“Sot për ne kjo është një ditë e gëzueshme për ne mjekët e urologjisë dhe nefrologjisë për ketë ndërmarrje të madhe që kemi kryer. Pavarësisht se gjatë këtyre kohëve kemi pasur disa probleme për nisjen e operacioneve, ne i kishim dhënë fjalën këtij vendi që do të realizonim transplantin dhe ai ja ku u bë. Sot pacienti është në një gjendje të mirë shëndetësore dhe del prej pavijonit. Kjo falë bashkëpunimit unik të mjekëve të urologjisë dhe nefrologjisë. Ndaj këtë do ua kërkojë edhe mjekëve të tjerë, si ata të kardiologjisë, hepatologjisë për bashkëpunime dhe kryerje të transplanteve” ka pohuar Nestor Thereska shefi i Shërbimit të Nefrologjisë.
Më tej ai ka kërkuar edhe një mbështetje në buxhet për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve të rëndësishme. Nga ana tjetër kirurgu i njohur prof. Mustafa Xhani tregon se ky ishte një nga transplantet më të vështira që mund të kryhej edhe në klinika të Evropës dhe kjo falë një profesionalizmi të arritur gjatë këtyre viteve.
Nga ana e mjekëve ky operacion është cilësuar si një nga arritjet e mjekësisë shqiptare gjatë viteve të fundit.
a.y/NOA