English

Sa shumë të varfër mes gjithë kësaj pasurie

SotLibrazhd natyrisht ka jo pak familje të varfra. E vërteta është se pasuritë e këtij rrethi janë ta atilla saqë mjaftojnë jo vetëm për banorët e Librazhdit për të mos pasur asnjë familje të varfër, por mjaftojnë edhe më gjerë

Nga Sali Berisha

Së pari ju përshëndes përzemërsisht, shpreh kënaqësinë që jam sot këtu me ju, për të ndarë gëzimin e inaugurimit të fillimit të punimeve të rrugës Hotolisht – Fraher. Rrugë, e cila do t’ju shërbejë rreth 6850 banorëve, rrugë që shënon një zhvillim tjetër të rëndësishëm, për projektin tonë, për urbanizimin, për ndërtimin e infrastrukturës moderne në të gjitha fshatrat dhe komunat e vendit.

Në rrethin tuaj, ne kemi investuar gjatë pesë viteve në ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, me shumë se në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku, përveç rrugës kombëtare. Unë ju garantoj ju, se këto 4 vjet ne do të bëjmë gjithçka, që çdo komunë e këtij rrethi, çdo fshat, të lidhet me rrugë të asfaltuara me aksin kombëtar. Ne do të bëjmë çdo gjë, që ju këtu ku jetoni, të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e Librazhdit, me lagjet e Elbasanit, me lagjet e Tiranës, me lagjet e çdo qyteti në Shqipëri.

Rruga ka vlerë totale investimi prej rreth 146 milion lekë, por zoti Kryetar i Komunës, jam këtu për të garantuar se qeveria do të financojë çdo projekt që ju dhe Këshilli i Komunës do të miratoni, për të ndryshuar për mirë, për të përmirësuar jetën e fermerëve të Hotolishtit.

Ne do të bëjmë gjithçka, që Hotolishtit dhe komunat e Librazhdit, të kenë infrastrukturë të njëjtë me komunat e vendeve më të zhvilluara, të kenë rrugë, kanalizime, ujësjellës e vaditje. Natyrisht kjo është vetëm një pjesë e punëve që nevojiten, që Hotolishti dhe fermerët shqiptarë të mëkëmben gjithnjë e më shumë dhe kjo mëkëmbje është mbi të gjitha, është mundi, djersa, puna, përkushtimi juaj. Ne përpiqemi t’ju lehtësojmë ju, por zoti Kryetar dhe të dashur fermerë është në dorën tonë të dyfishojmë të ardhurat kudo që ne jetojmë. Po vij nga Elbasani këtu dhe ju e dini më mirë se unë se çdo drurë jo frutor që ndodhet në brigjet e Shkumbinit, mund të ishte arrë, dhe ka qenë arrë shumica e tyre, mund të ishte lajthi, mund të ishte një dru frutor me të cilin ne mund të garantonim të ardhura shumë më tepër.

Prandaj dhe ne kemi shpallur një projekt kombëtar, projektin e ullirit aty ku ulliri rritet. Projektin e arrorëve aty ku arrorët rriten dhe arrorët rriten kudo në territorin e këtij vendi. Ju e dini më mirë se unë se çfarë plantacionesh të mëdha arrash, ka patur buzë Shkumbinit dhe batërdia e madhe që u bë në vitet 1990 ndaj tyre. Le të vendosim ne të gjithë së bashku zoti Kryetar, me të gjithë këta fermerë le ti rikthejmë ato në interesin e tyre më të mire, le të bëjmë së bashku që çdo pëllëmbë tokë, të cilën e kemi të pakët, sepse secili prej nesh e di, që ne nuk jemi vend me toka të shumta, por jemi vend me tokë ndër më pjelloret, ndaj ne duhet të bëjmë që të mos mbesë asnjë metër katror tokë djerr, të dyfishojmë të ardhurat kudo që ne jetojmë.

Të bëjmë gjithçka që drurët jo frutorë ti zëvendësojmë me drurë frutorë, të bëjmë gjithçka që çdo ditë të rrisim të ardhurat tona. Rritja e të ardhurave është kushti i të gjitha kushteve që ne të bëhemi një vend i zhvilluar.

SotLibrazhd natyrisht ka jo pak familje të varfra. E vërteta është se pasuritë e këtij rrethi janë ta atilla saqë mjaftojnë jo vetëm për banorët e Librazhdit për të mos pasur asnjë familje të varfër, por mjaftojnë edhe më gjerë. Rrethi juaj është një nga rrethet më të pasura në Shqipëri në ujëra. Janë një seri hidrocentralesh, që do të ndërtohen në të gjithë kaskadat e lumenjve dhe përrenjve, që zbresin në Shkumbin.

Rrethi juaj ka potenciale të mëdha minerare, të cilat gjithnjë e më shumë po vlerësohen dhe do të shfrytëzohen. Rrethi juaj mbi të gjitha ka njerëz të mrekullueshëm punëtorë, të cilët atë tokë që kanë e kanë qëndisur aq bukur dhe që të frymëzon kur e shikon. Ndaj dhe le të bëjmë ne përpjekjen maksimale për të hapur mundësi të reja. Mos harroni se ne shqiptarët ne stadin aktual bujqësor, kemi gjithsej 1800 metër katror për fryme, por kemi potenciale të jashtëzakonshme për ti shumëfishuar këto dhe me një mundim të veçantë.

Ndaj dhe në partneritet me qeverinë vendore, qeveria është e vendosur të financojë projektet për rrugët, projektet për shkollat, projektet për qendrat shëndetësore, për kanalizimet, për ujësjellësit dhe unë ju jap fjalën se vitet e ardhshme, siç jemi përqendruar në këto vite me gjithë fuqitë tona në rrugë, sepse rruga është kushti me themelor i zhvillimit, ne shumë shpejt po me kaq vendosmëri do të përqendrohemi në vaditjen e tokave e të mbjellave tuaja. Do të bëjmë çdo gjë që ju të keni sistemet më modern të vaditjes në Europë dhe do t’i keni ato, por këto janë problemet tona dhe këto mund të realizojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj pasurie të madhe, të asaj mundësie të madhe që ekziston tek ju dhe që ju keni bërë deri më sot.

* Nga fjala e mbajtur sot në fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Hotolisht – Fraher, Librazhd, një investim prej rreth 146 milion lekësh dhe që do t’ju shërbejë rreth 6850 banorëve

KOMENTE