English

Shqiptarja vdes nga kanceri, autoritetet dëbojnë 3 djemtë e saj nga Kanadaja

Vankuver, 25 gusht, NOA - Tre vëllezër nga Shqipëria janë duke luftuar për të qëndruar në Kanada, pasi është hedhur poshtë kërkesa e tyre për lejeqëndrim në këtë vend, bazuar në arsye mëshire dhe humanitare.

Lajmi është komunikuar nga media kanadeze “CBC”, sipas të cilës, i pari prej tyre është Kliti Lofca, 13 vjeç, erdhi në Kanada me nënën e tij Etleva, që arriti të kishte një leje pune në vitin 2007. Por ajo u diagnostikua me vonesë se ishte me kancer gjiri dhe vdiq në gusht 2009.

Burri i saj dhe dy bijtë e saj më të mëdhenj, Ergi 18-vjeçar, dhe Kevini 16-vjeçar, u lejuan përkohësisht të qëndronin në Kanada duke ua zgjatur qëndrimin për shkak të ashpërsisë së sëmundjes së saj. Por tashmë lejet e tyre për të mbetur në Kanada, kanë skaduar në dhjetor 2009, që pas vdekjes së nënës së tyre.

Ndërkaq, siç bën me dije media kanadeze për historinë e këtyre të rinjve shqiptarë, babai i tre djemve është kthyer në Shqipëri pasi kërkesat e tij për të punuar në Kanada janë refuzuar.

Nga ana tjetër, gjykata specifikon që djemtë nuk mund të largohen Kanadaja, pa një urdhër tjetër të kësaj saj.

Familja mendoi në fakt, kjo gjë do t’i lejonte tre djemtë për të qëndruar në Kanada, por ekspertët e emigrimit kanë thënë për “CBC” se ligjet federale të emigracionit janë mbi një gjykatë provinciale.

Lidhur me këtë, djaloshi Ergi Lofca u ka shkruar zyrtarëve të emigracionit, duke u kërkuar të aplikonte për qëndrim të përhershëm në Kanada, për arsye humanitare dhe mëshire.

Por ai mori një përgjigje negative në datën 18 gusht, ku i deklarohej se nuk do t’i jepej kjo leje qëndrimi dhe tani vëllezërit e tij përballen me largimin nga Kanadaja, ndërsa familja duhet të qëndrojë së bashku.

“Kanadaja thjesht nuk kujdeset për ta", ka pohuar për mediat kanadeze, halla e tre djemve, e cila jeton gjithashtu në këtë vend dhe ka kërkuar kujdestarinë e tyre, nëse kjo gjë mund t’i ndihmojë ata për të qëndruar në Kanada.

Ajo po i bën thirrje qeverisë kanadeze për ta lejuar familjen të qëndrojë së bashku, pasi në të kundërt, ajo do të shkatërrohej.

"Do të ishte e tmerrshme që t’i humbisnim tre djemtë në këtë kohë, kur kanë pësuar traumën e humbjes së nënës së tyre”, tha ajo.

n.e/NOA

KOMENTE