English

A duhet të hyjë opozita në Parlament?

Nga Preç Zogaj

Pyetja është rikthyer për shkak të prishjes së zgjedhjeve në Tiranë. Dhe pikërisht për këtë shkak madhor, që u është shtuar e u ka vënë kapakun shkaqeve të tjera të mëparshme, janë të shumtë njerëz që mendojnë se opozita nuk duhet të shkelë më në parlament. Duke filluar nga sesioni i shtatorit. Një sondazh on line i gazetës “Shekulli”, i publikuar ditën e mërkurë, tregonte se 54 për qind e personave që kishin votuar ishin kundër hyrjes së opozitës në Kuvend, 42 pë rqind e tyre ishin pro hyrjes, ndërsa 4 për qind nuk kishin mendim.

Do të ishte me interes të dinim sa është numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në këtë sondazh. Por edhe pa këtë të dhenë, merret vesh se cili është në vija të trasha humori në qarkullim. Në fakt, duke patur parasysh orjentimin përgjithësisht opozitar të lexuesve të gazetës “Shekulli” , mund të themi se lajmi në këtë sondazh nuk është sa shumë janë ata që janë shumicë, por sa shumë janë ata që janë pakicë. Mendoj se një gazetë apo një media tjetër, më pak e afishuar si opozitare, do të nxirrte një rezultat tjetër. Opozita dhe drejtuesit e saj e kanë për detyrë të konsiderojnë gjithë spektrin e opinioneve para se të marrin një vendim të rendësishëm. Sidomos opinionet e votuesve të tyre. Duket qartë se në lidhjen me qëndrimin ndaj Kuvendit këto opinione janë të ndara: gjysma këndej, gjysma andej.

Në parim, duke respektuar çdo opinion, mua më duket se opinioni “të mos hyjë opozita në Kuvend” është më pak impenjativ se opininioni “të hyjë”. Të thuash “jo” në këtë rast është më lehtë se të thuash “po”. Të jesh për bojkotin duket sikur të kushton me lirë. Kjo të tregon opozitar gratis. Ndërkohë që të jesh kundër bojkotit duhet të shpjegohesh. Ajme!

Si do të votoja unë, po të merrja pjesë në sonadazhin e gazetës? Me aq sa shkrova më sipër, mund të jetë kuptuar se do të kisha votuar me grupin e 42 përqindshit, pra në favor të hyrjes së opozitës në Kuvend. Apo thënë ndryshe, kundër bojkotit të parlamentit. Në thelb, sado paradakosale të duket përballë dozave të nervozimit në qarkullim, mendoj se me raportin e fundit të ODHIR-it opozita shqiptare e ka çuar dukshëm përpara misionin e saj për vendosjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. Rruga e zgjedhjeve të lira është hapur në dritën e diskretitimit ndërkombëtar të gjithë makinerisë qeveritare të manipulimit të zgjedhjeve. Nuk është fitorja në rrugën që kemi dëshiruar. Por është fitore ama. Opozita ka venë e po vë në vijë shumë çështje që lidhen me programin e saj të zhvillimit. Është një situatë në të cilën opozita i ka të gjithë arsyet për të qenë e vendosur, por nuk ka asnjë arsye për të qenë inatçore, spontane, improvizuese. Apo ca më pak, sadomazokiste.

A mjafton kjo për të shpjeguar një “votë” kundër bojkotit? Jo. Duhen argumente me shumë. Lë të vazhdojmë atëherë. Bojkoti është një mjet legal, por shumë i veçantë i luftës politike, që duhet të përdoret me inteligjencë të lartë në kohën e duhur. Përndryshe, kthehet në boomerang. Bojkoti nuk është përgjigje për çdo veprim antidemokratik të qeverisë apo për çdo aspekt të krizës politike, ekonomike dhe shoqërore. Dialektika e kundërshtive në shoqërinë e hapur është e tillë që opozita del jashtë funksionit nëse përdor bojkotin vend e pa vend, për çdo gjë që nuk shkon apo nuk i pëlqen. Bojkoti duhet të përligjet me drejtësinë e kauzës apo me thellësinë e arsyes për të cilën ndërmerret.

Bojkoti përligjet kur opozitës i bëhet e pamundur të përmbushë normalisht funksionet e saj, si një institucion i pazëvendësueshëm kontrolli ndaj qeverisë dhe si një alternativë e pushtetit. Nëse me dhunë, me diversion, me shantazhe, me rregulla dhe rregullore të shpikura enkas kundër saj, opozitës i mbyllen të gjitha hapësirat për t’u realizuar si e tillë, ajo e ka për detyrë të denoncojë Kuvendin dhe të largohet prej andej solemnisht. Një opozitë fasadë është njëmijë herë më keq se sa një Kuvend pa opozitë. Kuvendi funksionon keq, sigurisht. Ka herepashere provokime dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës. Janë bërë ndryshime të turpshme në rregulloren e Kuvendit për të ngushtuar diapazonin e opozitarizmit. Të gjithë këto do të përligjnin bojkote seancash, rast pas rasti, por jo një bojkot të planifikuar afatgjatë. Nuk jemi në gjendjen e pamundësisë së opozitës për tu shprehur në Kuvend.

Bojkoti përligjet gjithashtu me nevojën për të nxjerrë në pah, për të sensibilizuar, për të kombëtarizuar e ndërkombëtarizuar një problem të madh e jetik për demokracinë , siç janë, përshembull, manipulimet zgjedhore. I tillë ka qenë bojkoti disa mujor i PD-së pas zgjedhjeve të vitit 2001 dhe bojkoti analog i PS-së pas zgjedhjeve të vitit 2009. Falë fleksibilitetit të ish-kryeminsitrit Fatos Nano, bojkoti i demokratëve pat prodhuar presidentin konsensual dhe një stabilitet politik relativ që u shënua si kohë e fituar në kalendarin e integrimit euroatllantik të vendit. Dhe mbi të gjitha, standarde shumë më të mirë në zgjedhjet vijuese të vitit 2005. Ndërsa bojkoti i socialistëve, falë qëndrimit refraktar të kryeministrit Sali Berisha, nuk prodhoi trasperencën e kërkuar nga opozita dhe Europa dhe as zgjedhje të standardeve europiane në vendoret e vitit 2011, por prodhoi një krizë dhe një ngërc politik të stërzgjatur e me pasoja. Ndërkaq, jashtë ndikimit të Berishës, bojktoti i PS-së dhe lëvizja e opozitës për trasparencën e zgjedhjeve prodhuan gjithsesi një gjë të madhe: prodhuan drejtësinë e ODHIR-it, të SHBA-së dhe Europës për të vërtetën e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Ndërkombëtarët panë dhe folën më qarte se ne për farsën e Tiranës. Nuk ka nevojë për një bojkot të ri për të zgjuar Europën dhe SHBA-në. Ata e dinë mirë tani. Qeveria zgjodhi plackën dhe plagët e plackitjes në vend të standardeve. Kjo do t’i kushtojë një vonesë tjetër të madhe integrimit europian të Shqipërisë. Opozita parlamentare dhe joparlamentare kanë detyrimin t’i tregojnë publikut evidencën dhe faturën e kësaj vonese. Kjo çështje madhore duhet shtruar ditë për ditë në Kuvend dhe jashtë Kuvendit. Brënda dhe jashtë është më mirë se sa vetëm brenda, apo vetëm jashtë. Po vjen dita e transparencës së madhe në lidhje me integrimin europian, si ëndrra e ëndrrave të kombit shqiptar. Pse vonohemi? Kush paska të drejtë në këtë vend të luajë me këtë aspiratë? A jemi të gjithë në një mendje, apo siç vë në dukje shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në librin e tij të fundit “Mosmarrveshja”, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e elitës politike drejtuese tërheq dhe tërhiqet në kahun e kundërt? Opozita duhet t’i thërrasë dhe t’u prijë shqiptarëve të demonstrojnë në rrugë dhe sheshe orjentimin e tyre perëndimor, duke vënë në shenjestër çdo akt që pengon apo vonon këtë aspiratë, siç janë prekja e zgjedhjeve, korrupsioni, kapja e sistemit të drejtësisë dhe shenjat e tjetra antieuropiane që oborri qeveritar i prodhon sistematikisht. Këto mund të jenë demonstratat e reja. Demonstratat pozitive, demonstratat propozuese, demonstratat ku populli distancohet dhe tejkalon qeverinë e vet të kalbur. Ma merr merr mendja se do të ketë punë për të gjithë ata që do të duan të protestojnë, të demonstrojnë. Por aula e parlamentit duhet mbajtur. Opozita e ka të veten pjesën e vet në atë aulë. Nuk e ka të qeverisë, që ta lëshojë sa herë të lëndohet në sedër. Aula e opozitës është një arenë e luftës dhe qëndresës politike. Ajo nuk mbushet e nuk lihet bosh thjesht për të damkosur palën kundërshtare, por parasëgjithash për të treguar se vendi ka shpresë, ka shpëtim, ka alternativë. Ka opozitën.

Gazeta “Shekulli”

KOMENTE