English

Berisha- Ivanov: Drogat e rënda janë zhvendosur nga Shqipëria

Tiranë, 26 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kreu i qeverisë Sali Berisha priti sot në takim, Drejtorin e Agjencisë Federale të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, Viktor Ivanov.

Lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së bërë sot mes Ivanov dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria mirëpret dhe mbështet bashkëpunimin me Rusinë, në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe se marrëveshja e nënshkruar midis dy vendeve, është një bazë e rëndësishme ligjore për të mundësuar konsolidimin e bashkëpunimit në këtë fushë.

“Qeveria e konsideron prioritet të madh luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar në tërësi, duke vlerësuar në këtë kontekst, si shumë të rëndësishëm e të domosdoshëm bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Berisha.

Nga ana e tij Ivanov e vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar si një themel të rëndësishëm për një bashkëpunim të vazhdueshëm në këtë fushë.

Më tej, ai i paraqiti Kryeministrit një ekspoze të situatës së luftës kundër narkotikëve në Rusi, por edhe një përshkrim të përgjithshëm për sa i përket trafikut ndërkombëtar të drogës.

Ivanov vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit për luftën me efiçencë dhe sukses ndaj kësaj të keqeje si për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, edhe për sigurinë e stabilitetin apo rendin publik të vendeve prodhuese, por shpesh edhe të vendeve tranzit.

Të dy biseduesit vlerësuan si një arritje shumë të rëndësishme faktin që rrugët e drogave të rënda, siç është heroina, nga Afganistani, janë zhvendosur tashmë nga Shqipëria, çka dëshmon për suksesin e fushatës të luftës me zero tolerancë të qeverisë shqiptare. Gjithashtu u vlerësua edhe fakti që kultivimi i kanabisit në Shqipëri është reduktuar në mënyrë drastike.

Ndërkaq Berisha veçoi ligjin shqiptar, i cili përcakton përgjegjësitë e pushtetit lokal në këtë luftë, duke i shndërruar përfaqësuesit e pushtetit vendor në aleatë të qeverisë në këtë luftë.

a.y/NOA

KOMENTE