Vjen sërish në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit. Të ftuar specialë, aktorja Claudia Cardinale dhe regjisori Francis Coppola
Durrës, 26 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku - Durrësi do të jetë sërish mikpritës i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit që pritet të hapë siparin në data 27 Gusht e do të vijojë deri në 2 Shtator.
Ky edicion i katërt vjen me një sukses të garantuar pas Çmimit të Argjendtë FICTS 2010 ne Milano dhënë për Festivalin e Durrësit. Festivali i Filmit, i cili mbështetet edhe nga kompani të mëdha e të njohura si Vodafone Albania, do të zhvillojë ceremoninë e hapjes në Amfiteatrin e Durrësit ditën e Shtunë me shfaqjen e filmi fitues të Festivalit të Berlinit, "Honey" nga Semih Kaplanouglu.
Mbrëmjet e filmit do t'i dedikohen jo vetëm filmave që marrin pjesë në garë, por dhe "Mikut të Nderit", që për këtë vit është kinemaja dhe kultura e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë. Këto dy kultura kinematografike do të vijnë përmes filmave dhe retrospektivës së regjisorit te famshëm Francis Ford Coppola.
Ky vit do të laureojë me titullin "Gladiatori i Artë" regjisorin Coppola, për të cilin do të shfaqet edhe një program me 4 filma të zgjedhur të tij. Një tjetër moment special do të jetë edhe pjesëmarrja e aktores së famshme italiane Claudia Cardinale e cila ka një numër të madh fansash edhe në vendin tonë.
Sipas organizatorëve, edhe këtë vit festivali do të sjellë seksionin e dokumentarit ndërkombëtar të filmit të shkurtër. Konkurrimi zyrtar konsiston në përzgjedhjen e tetë filmave të metrazhit të gjatë të përzgjedhur në mes të produksioneve më të reja Europiane, si dhe gjashtë filma në seksionin "Botë Ballkanike", prodhimet më të reja të vendeve të rajonit.
Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit e nisi rrugën e tij në vitin 2008 dhe fokusohet në përpjekjet për lartësuar kinemanë në të gjitha format e saj si dhe rritjen profesionale të marrëdhënieve në të gjitha sferat e prodhimit të filmave.
r.b/e.t/NOA