Nga Lorenc Vangjeli
Eshtë Shqipëria një vend me një shoqëri të mpirë? Një vend, shoqëria e të cilit, kryesisht lajmin e keq e konsumon thjesht dhe vetëm si thashethem të çastit, që pas një çasti harrohet për t´i lënë vendin lajmit të lig/thashethemit të rradhës? Një vend ku dashuria dhe urrejtja, jeta dhe vdekja, e mira dhe e keqja, shpresa dhe mungesa e saj, konsumohen si në një dramë banale, në të cilën kush vjen dhe kush ikën e konsumon atë në vetmi? Eshtë Shqipëria një vend me shoqëri hipokrite? Me moral të përmbysur, me gënjeshtarë që betohen për nder, me të ndershëm të rrallë që konsiderohen budallenj, me budallenj të shumtë që shfaqen si Doktorë Shkencash, me kurvëri që tregtohet si virgjinitet, me historira të turpshme që shpallen të lavdishme? Eshtë sot Shqipëria një trëndafil plot diell Mesdheu ku mbijnë gjëmba pafund Ballkani? Eshtë sot Shqipëria një vend që dëshpëron? Kjo është vetëm një listë e vogël në një listë shumë të gjatë trishtimi që do të helmonte individët e një shoqërie mbi të cilën u eksperimentua kolektiviteti, por mungon komuniteti. Një shoqëri e mpirë nën anestezi që përtyp me shumicë hipokrizi dhe dhembje.
Në dekadën e fundit të viteve 90´, divorci plot fraktura dhe i pakthyeshëm me komunizmin arkaik e feudal shqiptar, të paktën në pamje, i la shqiptarët me flokë të gjatë dhe përgjithësisht të dobët. Ishte ndoshta vendi i vetëm, gjeografikisht evropian, pa obezë. Pa dhjamë në trup, jo për shkak të palestrës dhe jetës së shëndetshme, por për shkak të kequshqyerjes, shqiptarët ishin të uritur për Coca-Cola, për Marlboro, për Mercedes dhe për jastëkë e dysheqe të mbushur me para. Idhulli i tyre ishte refugjati kuban me shenjë në fytyrë i filmit Scarface, njeriu që nisi jetën në Botën e Lirë, i cili nga hiçi dhe u bë milioner. Tony Montana, i luajtur në 1983 nga Al Paçino u bë modeli për shumicën dërmuese të shqiptarëve sepse ai kishte forcë për të bërë keq, raport të çmendur me të mirën, aftësi për të tradhëtuar “miqtë”, kishte gra e seks, drogë dhe mbi të gjitha, kishte para me të cilat mund të blinte seks nga gratë dhe armë për të vrarë miqtë e armiqtë. Të paduruar si ballkanas, gjaknxehtë nga dielli i Mesdheut, shqiptarët e fillimviteve 90´, nuk kishin durimin që të shihnin edhe vetë filmin deri në fund, kur “i keqi” Al Paçino, do të bëhej si shoshë cigani nga plumbat që do të merrte në trup. Një epilog logjik i historive të tilla, në një botë të rrëmujshme ku gjithçka nuk zhduket, por kompesohet, ku nuk ka krim pa ndëshkim, ku nuk ka lumturi pa fatkeqësi. Një përfytyrim i një çasti të vetëm: një emigrant shqiptar që sa ka lënë atdheun. 20 vjeç në vitet 90´. Pa asnjë qindarkë në xhep. Që endet anash vitrinave vezulluese të Perëndimit. Uturimat e makinave i ngjajnë simfoni muzikore. Vajzat e bukura të cilat i kishte parë vetëm në ekranet bardhezi të filmave të RAI-t apo stacioneve jugosllave, janë të gjitha të vërteta, ecin në krah të tyre dhe ata u marrin me vete imazhin në fjetoret me shumë vetë ku masturbohen me rradhë, pa turp e në sy të njëri-tjetrit. Ata, me fare pak përjashtime nuk kanë bërë kurrë seks më parë, ato janë të gjitha pa përjashtim të depiluara. Ato nuk kanë mustaqe si nënat në atdhe dhe këmbët i kanë të lëmuara. Madje kanë edhe aroma trallisëse parfumesh, ndërsa ata kanë ende në veshë zhurmën e dushit me vajguri të ritualit të së shtunës kur laheshin me sapun të zi Rogozhine. Gjithçka ishte kaq pranë për ta, por ishte kaq larg.
Në shtëpi i prisnin shokët dhe familjarët të cilët në fillim i gënjenin për jetën që bënin në Eldoradon evropiane, pastaj ju duhej të jepnin prova se edhe ata ishin pjesë e saj. Të guximshmit, pastaj, u shenjuan nga fati si Tony Montana. Sepse është në natyrën njerëzore që vesi të trajtohet me interesant se virtyti, pavarësisht se ka jetë të shkurtër. Ndaj shumëkush ju nënshtrua vesit me shpirtshitjen tek djalli me atë mendjelehtësinë tipike ballkanase “të dalë ku të dalë!”. Shumë nga ta sot janë nën dhe´, trupshpuar si idhulli i tyre kubanez, dergjen burgjeve apo dhe më keq akoma: vijnë vërdallë nëpër Tiranë si njerëz të nderuar sepse të varfërit e shumtë ju adhurojnë portofolin. Janë kudo. Në biznes dhe politikë, tashmë si model i suksesit të rremë që ka krijuar si ikonë shqiptari i zakonshëm. Të jesh i varfër sot është krim. Në këtë kuptim, ajo armatë e pafundme shqiptarësh që jetojnë keq dhe shumë keq, pensionistë dhe arsimtarë, të rinj të papunë dhe minatorë të uritur, militantë të zhgënjyer dhe banditë të vegjël, është një armatë “kriminelësh”. Sepse Shqipëria është një vend i dëshpëruar. I eksperimentuan kolektivizimin, por nuk e lanë të provonte shijen e komunitetit, e gënjyen me teatrin e përgjakur të komunizmit, por po e detyrojnë të jetojnë sërish nën komunizmin feudal, ku gjithësecili është vetëm një gur në piramidën e ngritur vetëm me një kriter: ke para, je i mirë, nuk ke para je i paaftë!
Pothuaj 30 vjet mbasi doli në ekran, tek shenja e Tony Montanës është ende njeriu i ri shqiptar që edhe nëse nuk i dorëzohet mëkatit, në shumicën dërmuese të rasteve e bën nga pamundësia, por jo se nuk e ka ëndërruar ta bëjë. Jo se nuk do ta bënte në rastin më të parë që do t´i paraqitej. Sot, shqiptarët i kanë pothuaj të gjitha. Që nga Coca-Cola, Marlboro, Mercedesat, vizat e liberalizuara për në Evropë dhe Tony Montanat e tyre. Janë dhe obezë. Si një shenjë idiote e lumturisë, si një simbol i statusit të suksesit. Edhe kur bëjnë palestër që të largojnë dhjamin, edhe kur hanë si të limaksur për të vënë dhjamë që pastaj ta heqin me palestër. Njëlloj si qeveritë që kanë pasur në këto 20 vjet, në të cilat gjeje si rregull dhe jo si përjashtim “emigrantë” kubanezë që në një moment të caktuar e gjenin veten në majë të piramidës së krimit. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi, qeveritë që e kanë mbajtur këtë vend në anestezi. Si komunistët dje, si “pluralistët” sot.
NOA