Tiranë, 26 gusht 2011, NOA- Pas Turqisë e cila dërgoi një avion amfib në drejtim të vendit tonë për të shuar zjarret që kanë përfshirë një pjesë të madhe të kodrave dhe maleve, këtë herë në ndihmë ka ardhur edhe Italia.
Siç bëhet e ditur nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile informon se gjatë ditës së sotme, në bazë të marrëveshjes me Mbrojtjen Civile të Italisë, një avion tip Canadair italian po kryen operacione për shuarjen e zjarreve në territorin e vendit tonë. Theksohet se, konkretisht falë këtyre operacioneve është mbyllur sot vatra e rrezikshme e zjarrit në Pish Poro të Vlorës. Ky avion do të operojë sot edhe në masivin pyjor të Moravës në Qarkun e Korçës ku është aktive një vatër problematike zjarri. Operacionet nga ajri do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, ndërkohë që situata e rënies së zjarreve është lehtësuar ditën e sotme kur janë aktivë vetëm 10 zjarre problematike.
a.y/NOA