English

PDIU: Të hiqen akuzat ndaj Limajt dhe Haradinajt

Tiranë, 26 gusht, NOA – Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka kërkuar sot nga institucionet ndërkombëtarë lirimin e dy politikanëve kosovarë, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj dhe heqjen e akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tyre. Me anë të një deklaratë për mediat, e sekretari politik i PDIU-së, Ardian Tana shprehet se autoritete ndërkombëtare, para se të akuzojnë dhe dënojnë shqiptarët duhet të gjejë autorët serbë të masakrave mbi popullin shqiptare.

“Gjyqi ndaj Komandant Celikut, zotit Fatmir Limaj, ndaj komandantit tjetër legjendar Ramush Haradinaj, apo dhe vetë publikimi i të ashquajturit raport të Dik Martit, kundër të cilit ne bëmë luftë të fortë në Këshillin e Europës, janë pasojë e një ofensive deri diku të suksesshme të Serbisë së vjetër sot. E themi qëllimisht të Serbisë së vjetër, megjithëse ne besojmë se pjesë të saj, që s’duan ta pranojnë goditjen që i dha UCK-ja në bashkëpunim me Perëndimin, kanë aktivizuar akuza qesharake ndaj heronjve të gjallë të kësaj lufte, që sot janë në themel të proceseve kundër UCK-së”, tha Tana.

Ai ka theksuar se akuzat ndaj politikanë kosovarë janë të pambështetura në prova dhe burimi i vetëm i tyre janë të dhënat ushtarake serbe. “Ne e mirëkuptojmë veprimtarinë e prokurorëve ndërkombëtarë që duan të marrin seriozisht çdo akuzë mbi dhunime të supozuara të të drejtave të njeriut në Kosovë, por ne besojmë se këtë herë është gabuar rëndë. Akuzat ndaj zotit Limaj, ashtu si ato mbi zotin Thaçi dhe zotin Haradinaj përveçse janë mbështetur mbi fabrikime të makinerisë ushtarake serbe, janë provuar si të pambështetura në fakte nga vetë drejtësia ndërkombëtare. Në të gjithë këto raste ne kemi shkelje të parimit të gjësë së gjykuar, pra të gjykimit mbi të njëjtin fakt, ndërsa nuk ka elementë të rinj që ta justifikojnë gjykimin e ri të këtyre heronjve të gjallë”, tha Tana.

Përfaqësuesi i PDIU thekon se populli i kosovës dhe autoritete e shtetit duhet të mbledhin fakte në terren për krimet që i janë bërë popullsisë nga ushtria serbe.

“Ne besojmë se kjo ofensivë e Serbisë së vjetër, që është ende në pushtet, ka arritur të ketë sukses, edhe prej një farë inaktiviteti të organizmave faktmbledhës të vetë popullit të Kosovës. Prej kohësh, ndoshta të frymëzuar nga një ndjenjë drejtësie dhe të përkushtuar ndaj objektivave të paqes, këto organizma nuk kanë mbledhur fakte të mjafta që të vendosin para gjyqit shumë prej atyre kriminelëve që kanë lyer duart me gjak në Luftën e Kosovës, dhe që janë njollosur me krime të rënda. Meqënëse ne jemi treguar inaktivë, atëherë serbët kanë bërë të kundërtën, duke u përpjekur të kalojnë topin e drejtësisë nga ana e tyre”, tha ai.

Tana shtoi se qeveria e Kosovës, organizmat joqeveritarë faktmbledhës duhet të gjallërohen për të vazhduar procesin e vënies para drejtësisë së kriminelëve serbë, të cilët veprojnë dhe sot, madje dhe në Veri të Kosovës, siç u tregua gjatë ngjarjeve të fundit.

a.k/NOA

KOMENTE