E premte, 26 gusht 2011, NOA- (Update) Presidentja e kompanisë “ACR”, Skatche-Depich, i është drejtuar sot me një mesazh të gjithë minatorëve të Bulqizës duke i pohuar se është aty për ti dhënë një zgjidhje situatës së krijuar.
Ajo ka ftuar që minatorët të zgjedhin një përfaqësi prej katër vetash për tu takuar me të. “Jam këtu që bashkërisht të gjejmë një zgjidhje. Besoj se çdonjëri nga ju pret të kalojë Bajramin sa më mirë dhe të ketë një të ardhme më të mirë. Unë jam këtu që t’i bëj të mundura të dyja. Ftoj katër minatorë, vetëm punonjës të ACR, që të takohen me mua, të diskutojmë bashkërisht dhe të gjejmë zgjidhjen”, është shprehur Presidentja e ACR.
Më tej ajo premton, se përveç përmirësimit të kushteve të punës do të punohet edhe për hapjen e galerive të reja të thellësisë, një kërkesë tjetër e minatorëve kjo.
Ajo u shpreh se, “Le të përkushtohemi të gjithë në hapjen e pusit të thellësisë por për ta bërë këtë ju duhet ti ktheheni punës.”
Sakaq ajo tha se, ACR vazhdon të jetë e hapur për bisedime me minatorët e kompanisë për të gjetur një zgjidhje për kërkesat e minatorëve, pjesën më të madhe të së cilave kompania i ka plotësuar.
a.y/NOA