Tiranë, 26 gusht 2011, NOA- Qeveria shqiptare i ka kërkuar ndihmë qeverisë turke, në mënyrë që të mundësojë me ndërhyrjen e saj për shuarjen e zjarreve, të cilat kanë përfshirë në javët e fundit territorin e Shqipërisë dhe kryesisht zonat kodrinore-malore.
Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thonë për agjencinë e lajmeve NOA, se pas kësaj ndihme është dërguar një avion amfib, i cili pritet të ndihmojë në shuarjen e zjarrit në kufirin jugor të Shqipërisë, vend ku vatrat e zjarrit kanë qenë tepër të shpeshta.
Sakaq sipas po të njëjtit burim nuk bëhet e ditur që të jetë kërkuar ndonjë ndihmë ndaj shtetit fqinj, Greqisë, ku vatrat e zjarrit janë më të afërta, ndërsa Turqia është treguar e gatshme që të ndihmojë vendin tonë madje edhe në kufi me shtetin grek.
Mësohet se me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, Kryesia e Emergjencave dhe Fatkeqësive Natyrore të Kryeministrisë së Turqisë ka dërguar një avion amfib në Shqipëri, me qëllim dhënien e ndihmës për shuarjen e zjarreve në pyjet shqiptare, dukuri kjo e cila ka sjellë dëmtime serioze në ekonominë e vendit.
Ndërkaq bëhet e ditur se avioni, së bashku me ekuipazhin prej 5 vetash, të cilët do merren me aktivitetin e shuarjes së zjarreve në pyjet shqiptare, do të qëndrojnë në Shqipëri për 1 javë.
a.y/NOA