English

Republika e Bulqizës

Nga Arbër Zaimi

Ç’është më e shenjtë, prona a njeriu? Çdo njeri që do ia vlente ta pranoje për bashkëbisedues, do të duhet të përgjigjej “njeriu”, përndryshe le të shkojë e të flasë me pronat. Ky parim, parimi i respektimit të jetës, i pacënueshmërisë së integritetit fizik, moral e komunitar, është pjesë e ligjit ndërkombëtar që republika jonë njeh (pra e kartave dhe traktateve ku është firmëtare). Po ashtu, republika jonë njeh, që në fillim të kushtetutës, sovranitetin e popullit. Jo sovranitetin e “gjësë”, jo sovranitetin e parasë, të investitorit, të ministrit, të kryeministrit. Por të popullit. Kështu që ata persona që dërgojnë policinë që të shtypë me dhunë popullin që kërkon një punë më dinjitoze, ata që dërgojnë RENEA-n që të sulmojë punëtorët që rreken të mbrojnë minierën, që është pasuri e përbashkët (pra e popullit) nga degradimi, i shkelin parimet republikane. Loja që ata luajnë, e që për shumicën është tragjedi, është lojë e tiranisë.

Çështja e Bulqizës, ashtu si shumë bëma të tjera të pushtetit, është e lidhur ngushtë me mosrespektimin e republikës (theksoj, të republikës, jo të demokracisë). Problemet e sotme me kompaninë ACR në fakt janë thjesht simptoma të një plage të kahershme, që s’mund t’i dhembë vetëm Bulqizës, sepse na prek të gjithëve. Që kur ministri Ruli, një prej “arqitektëve” të karabinasë shfrytëzuese ekonomike që drejton Berisha, vendosi të “amnistojë” investitorin e parë, DARFO-n, e cila iku në 2007 pa bërë asnjë nga investimet që parashikonte kontrata, e pa marrë për këtë asnjë ndëshkim a gjobë. Më pas, siç është bërë publike, Ruli favorizoi investitorin e ri, ACR-në, tek e cila përflitet se ka patur interesa direkte e indirekte. Në 2009 Genc Ruli amendoi kontratën midis shtetit shqiptar dhe ACR-së, duke e falur edhe këtë investitor të ri për faktin që s’po investonte por vetëm po vilte prodhim, e duke ia shtyrë këtë afat përtej kontratës fillestare.

Të dyja këto gjeste të Rulit janë në themel antirepublikane, së pari ai zhvesh publikun nga pasuria, duke mos gjobitur DARFO-n që ropi minierën për 7 vjet pa asnjë grimë investimi, e së dyti duke ndryshuar një dokument të miratuar prej parlamentit. Ai vetë, kuptohet nën ombrellën e pushtetit Berishian, ka marrë përsipër t’i zërë vendin institucionit të dytë më të lartë (se i pari siç thamë është populli-sovran).

Parë në këtë këndvështrim, Bulqiza është një shfaqje interesante e grushtit të shtetit të përmbysur, një grusht shteti që nuk e bën opozita, as ushtria e as populli, po vetë qeveria. Një grusht shteti që rrëzon parimet bazë të republikës, e në mënyrë të pashprehur lejojnë vendosjen e një regjimi të ri. Si do t’ia vëmë emrin këtij regjimi pak rëndësi ka, rëndësi ka të kuptohet që armiq me të sot nuk janë vetëm minatorët. Në Bulqizë këto ditë po vdes “konsensusi” liberal midis qytetarit të skamur e qytetarit pronar. Shteti dhe mjetet e tij të dhunës shpallen pronë e pronarëve. Ata që nuk mbrojnë dot minatorët sot, nesër nuk do të mbrojnë dot as veten, as vendin e punës, as shtëpinë, rehatinë e as bukën e fëmijëve përballë këtyre pronarëve që operojnë më lehtë në kushte tiranie.

Gazeta "Shekulli"

KOMENTE