English

SHBA përgatitet për superuraganin, Obama: Mos nënvlerësoni Irene-n

SHBA, 26 gusht 2011, NOA – Autoritetet qeveritare në Shtetet e Bashkuara po bëjnë përgatitjet për uraganin Irene që i është drejtuar brigjeve lindore.

Presidenti Obama në një deklaratë të pak minutave më parë deklaroi se uragani nuk duhet nënvlerësuar. Ai tha se Irene është historik dhe qytetarët duhet të përgatiten.

Guvernatorët e shteteve të Karolinës së Veriut, Virxhinias, Merilandit, Delauerit, Nju Xhërzit dhe Nju Jorkut kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të përballuar të gjitha nevojat e mundshme para goditjes së këtyre shteteve nga uragani, i cili pritet të godasë nesër brigjet e Karolinës së Veriut. Edhe Presidenti Barak Obama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për Karolinën e Veriut.

Qendra Kombëtare e Uraganëve thotë se uragani Irene është dobësuar pak, me erëra deri në 175 kilometra në orë. Meteorologët parashikojnë që uragani të intensifikohet, ndërsa i afrohet brigjeve të Karolinës së Veriut.

Irene ka shkaktuar vdekjen e të paktën një personi në Puerto Riko dhe dy të tjerëve në Republikën Domenikane.

Në pjesën më të madhe të bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara janë bërë paralajmërime, madje në disa zona autoritetet kanë evakuar banorët dhe visitorët nga plazhet.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg ka dhënë urdhër për evakuimin e spitaleve dhe azileve të pleqve në zonat e ulëta të qytetit.

a.q/NOA/CNN

KOMENTE