Regjistrimi i popullsisë është shndërruar në një temë të nxehtë. Shkak për këtë është bërë kundërshtimi i një pjese të shoqërisë civile për të përfshirë në pyetësorë edhe vetëdeklarimin e kombësisë dhe të fesë.
Ky vit, në bazë të vendimit të Kombeve të Bashkuara është viti i raundit të regjistrimeve të përgjithshme të popullsisë, ose siç quhet ndryshe censusi, në të gjithë botën. Në Shqipëri ky regjistrim i planifikuar, u shty për shkak të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, është shndërruar në një temë të nxehtë debati dhe pikëpamjesh të ndryshme. Shkak për këtë është bërë kundërshtimi i një pjese të shoqërisë civile ndaj vendimit të qeverisë për të përfshirë në pyetësorë edhe vetëdeklarimin e kombësisë dhe të fesë.
Aleanca kuqezi dhe historianët kundër regjistrimit mbi baza etnike
Një prej aktorëve më me peshë në kundërvënien ndaj ligjit për regjistrimin është Kreshnik Spahiu. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), thotë se firmat e shumta të qytetarëve, tregojnë se popullsia është kundër një regjistrimi të tillë. „Ligji i Censusit është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe standardet e BE-së. Një pjesë e vendeve të BE-së dhe SHBA-ja e konsiderojnë shkelje të të drejtave të njeriut ndërhyrjen e shtetit në besimin fetar apo përkatësinë etnike. Madje edhe Greqia, e cila e kërkon me forcë zbatimin e regjistrimit etnik nuk e aplikon vetë këtë standard. Është tashmë e provuar që votimi në parlamentin shqiptar është bërë në shkelje të procedurës dhe nuk është siguruar kuorumi i votave. Parlamenti deklaron se ligjin e kanë votuar 71 deputetë nga të cilët Aleanca Kuqezi ka provuar se dy prej tyre nuk kanë qenë të pranishëm pasi ndodheshin jashtë Shqipërisë por kanë votuar dy deputetë të tjerë. Një proces regjistrimi mbi baza etnike do shkaktojë rritjen artificiale të pakicave greke pasi mijëra shqiptarë kanë falsifikuar procesin për marrjen e pensioneve 300 euro dhe marrjen e lejes për të lëvizur jashtë Shqipërisë“, thotë për Deutsche Welle-n nënkryetari i KLD-së, Spahiu.
Oponent për ligjin e regjistrimit në këtë formë, është edhe një politikan, dhe historian i njohur si Pëllumb Xhufi. Ai në bisedë për Deutsche Welle-n thekson:“Regjistrimi i domosdoshëm edhe duhet bërë me përjashtim të dy zërave: vetëpërëcaktimit të kombësisë dhe deklarimit të fesë. Në radhë të parë, këto janë në kundërshtim me Kushtetutën, sepse është kushtetutë moderne që nuk bën dallime për qytetarët. Shqipëria është vend rreptësisht ateist dhe mbijetesa e këtij shteti është përcaktuar nga krijuesit edhe si rezultat i ruajtes së raportit korrekt mes shtetit dhe fesë. Në rastin konkret shteti merr përsipër të vendosë kuotat e besimtarëve shqiptarë sipas komunitetit, dhe kjo është shkelje e parimit të laicitetit. Vende të tjera demokratike e kanë të ndaluar përfshirjen e shtetit në censuse të karakterit fetar.“
Sipas historianit Xhufi, Shqipëria nuk është një shtet i ri që ka lindur nga shpërbërja e konglomerateve: "Shqipëria i ka zgjidhur problemet me minoritetet që në 1921, me kontratë solemne në Lidhjen e Kombeve, ku u njohën minoriteti grek maqedonas, dhe malazez. Janë përcaktuar vendet ku këto minoritete përbëjnë shumicë substanciale që asokohe. Edhe qeveria greke e ka pranuar minoritetin grek të Shqipërisë, të përqendruar në 85 fshatra të përcaktuar shprehimisht në OKB. Kushdo që do të dijë numrin e minoriteteve, mund t'i referohet Regjistrit Themeltar të Shqipërisë. Formulari përmban një terminologji pa asnjë përputhje me Kunshtetutën dhe konventat ndërkombëtare. Flitet për grupe etnokulturore në një kohë që Konventa Evropiane dhe Kushtetuta flasin për pakica kombëtare. Regjistrimi është bërë me presion nga Greqia, është imponuar nga Athina zyrtare.“
Por çfarë mendojnë minoritetet
Në kundërshtim me grupimet civile si Aleanca Kuqezi, minoritetet kërkojnë të mos mbytet vetëdeklarimi i përkatësisë etnike, dhe çdokush të jetë i lirë për të shprehur prejardhjen. “Ne e kundërshtojmë ligjin aktual për regjistrimin, sepse ka një nen, specifikisht neni 20 që thotë se nëse deklaron kombësinë pa e faktuar me dokumente, atëherë të vendoset edhe gjobë”, thotë Nikolla Gjurgjaj, kreu i Shoqatës maqedonase “Ilinden” në Shqipëri për Deutsche Welle-n.
Sipas Gjurajt në grupet e punës për ligjin në Shqipëri, duhet të ketë të paktën nga një pjesëtar të minoriteteve: "Nuk mund të ketë komision 100% shtetëror. Shembull është Maqedonia, ku në grupet e punës për ligjin e regjistrimit ka pjesëtarë dhe nga minoritetet. Duhet të zëvendësohet ligji dhe të shtyhet regjistrimi.“
Si ndryshohet kombësia në Shqipëri
Ndryshim i kombësisë bëhet në bazë të Ligjit për Gjendjen Civile, të miratuar në vitin 2009. Në këtë ligj kombësia përcaktohet si element përbërës i gjendjes civile të çdo shtetasi shqiptar, gjë që detyron çdo shtetas ta deklarojë kombësinë e tij për t'u shënuar në regjistrin themeltar të gjendjes civile. Ligji parashikon ndryshimin e kombësisë me anë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë, kur qytetari i interesuar i paraqet asaj prova dhe fakte zyrtare.
Gjykata e Lartë, që po inspekton vendimet e gjykatave për ndërrimin e kombësisë, ka anuluar dhjetëra prej tyre, pasi i ka gjetur të mbështetura në dokumente të falsifikuara. Shifrat zyrtare nga Gjykata e Lartë flasin për mbi 3800 qytetarë të Shqipërisë në zonat jugore, që e kanë ndërruar kombësinë nga shqiptare në greke dhe mbi 150 të tjerë në zonat e veriut në serbo- malazeze. Dhe pikërisht kësaj, i druhen oponentët e ligjit për regjistrimin e popullsisë: Rritjes fiktive të pakicave greke apo sllave në Shqipëri.
Argumenti kryesor i kundërshtarëve të vetëdeklarimit të kombësisë dhe besimit fetar është shkelja, që i bëhet Konventave Ndërkombëtare dhe mospërputhjes me modelin, që aplikojnë vendet e BE-së.
Kjo sipas tyre, është në kundërshtim me Konventën Kuadër, të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e Minoriteteve të vitit 1995, ku përcaktohet qartë se kombësia nuk mund të mbështetet vetëm në një vetëdeklarim subjektiv të personit të interesuar, por duhet të mbështetet në elementë objektivë, që kanë të bëjnë me identitetin e personit, pra në të dhënat e regjistrave themeltarë të zyrave të gjendjes civile.