Tiranë, 26 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Dy vëllezër nga Babrruja janë vënë në prangat e policisë pasi në tokën e cila ishte në pronësi të tyre u gjetën dhe sekuestruan 800 rrënjë e dyshuar si Canabis Sattiva.
Dy vëllezërit ishin kthyer në bujq, por jo të të mbjellave të zakonshme, pasi tokën e tyre nuk e kishin mbjellë as me misër dhe as me bimë të tjera, por me Canabis Sattiva.
Sipas policisë bima ishte mbjellë në një pjesë toke që e kap komuna Zallherr, ku Asllan Qefalia 59 vjeç dhe Jakup Qefalia 70 vjeç u vunë në prangat e policisë pasi dyshohet se dy vëllezërit kanë qenë autorët e mbjelljes dhe kultivimit të lëndës narkotike.
Në bazë të aksionit të policisë të kryer në orët e mbrëmjes së djeshme, nga kryerja e veprimeve rezultoi se në katër parcela me sipërfaqe 2300 m2, ishin mbjellë afro 800 rrënjë bimë e dyshuar narkotike e llojit Canabis Sattiva.
Ndërkaq nga ana e uniformave blu, në cilësinë e provës materiale u morën për ekzaminime të mëtejshme disa rrënjë bimë e dyshuar narkotike e llojit Canabis Sattiva, të cilat u gjetën në vendngjarje.
Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.
a.y/NOA