English

Davutoglu: Historia, jo sipas Titos dhe Hoxhës

Prishtinë, 27 gusht, NOA - Ahmet Davutoglu ripërsëriti kërkesën e Turqisë për ndryshime në librat e historisë gjatë vizitës në Prishtinë. Ai tha se vendi i tij është kundër historisë që është shkruar në kohën e Enver Hoxhës dhe Titos. Për këtë temë, diplomati turk mbajti edhe një leksion në konferencë për media. E, Ministri Enver Hoxhaj foli shkurt, duke thënë se historia është punë e akademikëve.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka përsëritur të premten në Prishtinë kërkesën e vendit të tij për korrigjime në librat shkollorë që kanë të bëjnë me historinë turke.

Një gjë të tillë një javë më parë e kishte bërë Ministri turk i Arsimit, Omer Dincer, duke nxitur një debat në mesin e intelektualëve dhe historianëve kosovarë

Reagimet kundërshtuese ndaj kërkesës së Dincerit për eliminimin e “paragrafëve fyes”, tashmë janë kuptuar nga Ankaraja zyrtare. Pavarësisht kësaj, Ministri Davutoglu, i cili po viziton Kosovën, nuk ka hequr dorë nga kërkesa.

Ai vetëm sa e ka forcuar atë në një konferencë për media me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj. Kur ka folur për këtë temë, Davutoglu ka preferuar që një gjë të tillë ta bëjë në cilësinë e profesorit universitar. Ai nuk ka asnjë dilemë se historia që është shkruar në Kosovë është e keqe.

“Do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje si një profesor universitar. Historia nuk do të ndryshohet, por interpretimet e historisë mund të ndryshohen dhe pikëvështrimet e historisë, metodologjia e historisë ndryshohen me kohë...”, ka thënë ai.

Diplomati turk ka hyrë edhe në detaje, kur ka folur rreth kësaj çështjeje. “Historia e Kosovës duhet të shkruhet nga kosovarët, por nga kosovarë që jetojnë në vitin 2011, jo në vitet 1970 apo 1980, jo histori që është shkruar në periudhën e Enver Hoxhës apo Titos”, ka thënë ai.

Në pyetjen nëse kërkesa për ndryshim të historisë e një shteti për një shtet tjetër është e çuditshme, ministri turk nuk ka dhënë një përgjigje direkte. Ai ka thënë se Turqia është duke e bërë një gjë të tillë edhe me Greqinë, por nuk ka përmendur nëse një iniciativë e tillë ka dhënë rezultate. Kryediplomati turk ka theksuar se vendi i tij nuk e ka ndërmend t’i diktojë Kosovës se çfarë duhet të bëjë me historinë, edhe pse për këtë ai nuk hezitoi të mbajë një leksion pikërisht rreth ndryshimeve që duhen të bëhen. “Ju mund të keni kritika për Perandorinë Osmane, por këtu nuk ekziston vetëm një këndvështrim i vetëm për vlerësimin apo për interpretimin e historisë. Ne jemi kundër historisë ideologjike. Ne këtë e vlerësojmë si një ndarje mendimesh apo konflikt idesh. Ne nuk duam t’ia diktojmë kërkujt, as Kosovës që e kemi vend mik, t’i diktojmë një ndryshim të tillë”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm turk ka thënë se rreth kësaj çështjeje i ka bërë propozime edhe Kryeministrit Hashim Thaçi. “Ne duam të jemi më të hapur për këmbim idesh, por, në të kundërtën, nuk do të tolerojmë që hartat gjeografike të kenë paragjykime. Ne duhet të ulemi, si pjesëtarë të një familjeje të përbashkët, si intelektualë. Për këtë arsye, unë kam propozuar që ta formojmë një forum të përbashkët akademik intelektual turko-kosovar. Jemi në një botë globale, nuk jemi në një botë të ndarë në pole”.

Sipas Davutoglus, raportet e Turqisë me Kosovën janë përtej miqësisë.

“Ne Kosovën e konsiderojmë si vend tonin dhe shtëpinë tonë”, ka thënë ai.

Ministri Hoxhaj, në anën tjetër, ka përzgjedhur fjalët më të ngrohta për mysafirin e tij.

Ai e ka falënderuar Davutoglun që ka zgjedhur një “natë të shenjtë” për të vizituar Kosovën. Hoxhaj nuk ka preferuar të japë ndonjë qëndrim të prerë rreth kërkesës turke.

Edhe pse kërkesa ka ardhur nga Qeveria turke, ai ka thënë se kjo është një çështje që duhet të trajtohet nga akademikët.

“Mendojmë se historinë duhet ta shkruajnë akademikët, njerëzit e institucioneve arsimore dhe jo politikanët, dhe jo qeveritë. Ne sot jemi në këtë konferencë shtypi jo nga Akademia e Shkencave e Kosovës apo e Turqisë, prandaj edhe nuk u takon shumë politikanëve që të deklarohen për përmbajtje të teksteve historike”, ka thënë Hoxhaj.

Pyetjet e gazetarëve për këtë çështje, Hoxhaj i ka quajtur si një dëshmi se “Kosova është vend ku shtrohen të gjitha pyetjet dhe temat”.

Hoxhaj ka përmendur miqësinë personale me Davutoglun, derisa nga mysafiri ka marrë edhe epitetin “bey”.

Ministri kosovar ka përmendur raportet shqiptaro-turke, duke i ilustruar me “adetet” turke të shqiptarëve. “Shpeshherë komunikimet tona fillojë me një fjali në gjuhën turke, zhvillohen në gjuhën shqipe dhe përfundojnë me një gjuhë tjetër. Kjo tregon se Kosova është një vend divers, vibrant dhe shumëkulturor dhe integrimi i komunitetit turk në Republikën e Kosovës është një integrim i fuqishëm”. E, qasjen miqësore të Kosovës ndaj Turqisë, Hoxhaj në një nga përgjigjet e ka shpjeguar duke u arsyetuar me raportet aktuale në skenën globale.

“Për popujt e vegjël dhe për vendet e vogla si Kosova është me rëndësi që në marrëdhëniet ndërkombëtare të lexohen adresat në formë të drejtë. Kështu që, përkundër asaj që jemi një vend i ri, bëjmë përpjekje që ta kuptojmë fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare”.

Davutoglu, ndërkaq, ka thënë se Turqia mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, derisa ka ofruar përkrahje edhe për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. “Ne e mbështesim dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe i kushtojmë shumë rëndësi që ky dialog të ketë rezultate pozitive. Dëshirojmë që Kosova dhe Serbia ta respektojnë njëra-tjetrën”, ka thënë ai.

NOA/Ekspres

KOMENTE