SHBA, 27 gusht 2011, NOA – Shënohen tre viktimat e para nga uragani Irene në Karolinën e Veriut. Mediat amerikane raportojnë për tre të vdekur gjatë dy orëve të fundit, kryesisht në rrugët e disa qyteteve, ku mbi 200 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike. NJë prej viktimave ka vdekur nga infarkti ndërsa i jepte dorën e fundit pjesës mbrojtëse të shtëpisë në momentin kur Irene mbërriti në qytetin e tij.
Presidenti amerikan Barak Obama gjatë takimit me drejtues të Mbrojtjes Civile Amerikane ka deklaruar: “ Na presin 72 orë shumë të gjata”. Ai ka kërkuar koordinim të ndihmës për të kufizuar dëmet që uragani mund t’i shkaktojë 65 milion amerikanëve.
Ndërkohë, në Nju Jork, siç ishte parashikuar në orën 12.00 ( ora lokale) është mbyllur metroja, duke shënuar kështu vendimin e parë historik të këtij lloji për mbylljen e një shërbimi publik.
Sipas specialistëve do të duhen të paktën 8 orë për të siguruar që trenay kanë ndaluar dhe të mbyllen 436 portat e metrosë. Ndërkohë që deri të hënën do të ndalojë edhe lëvizja mbi tokë.
Rreth orës 11.00 ( ora lokale amerikane) në Nju Jork ka nisur të bjerë një shiu i furishëm duke paralajmëruar afrimin e uraganit, ndërsa njerëzit kanë nxituar të bëjnë blerjet e fundit në supermarkete.
a.q/NOA