Malishevë, 27 Gusht 2011 NOA - Pas një monitorimi që i është bërë qendrave të Mjekësisë Familjare në shumicën e vendbanimeve të Komunës së Malishevës, është vërtetuar se nuk funksionojnë shumica nga to.
Në shumë prej tyre janë parë dëmtime, mungesë të higjienës, mungesë të ujit si dhe të disa elementeve bazike për funksionim normal.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Malishevë pasi analizon problematikat thotë se “fajtori kryesor për gjithë këto probleme është Komuna e Malishevës dhe kryetari i saj Isni Kilaj me bashkëpunëtorët e tij, i cili më shumë merret me punët e tij private dhe të shokëve të tij, se sa me interesin publik dhe obligimet që i ka ndaj qytetarëve të komunës së Malishevës”.
“Ky model qeverisës derivon nga qeverisja e Hashim Thaçit në qendër, dhe është modeli më i keq që kemi pasur deri më sot!”, - vlerëson Lëvizja.
Kjo situatë ka shtyrë që sot si Qendër e Lëvizjes Vetëvendosje! të reagojnë dhe të kërkojnë urgjentisht nga Komuna që të marrë masa dhe t’i bëjë ato funksionale.
“Tash për tash, një qytetari për një ingjeksion i duhet të bëjë deri në 25 km rrugë, të cilat nuk kalohen pa një kosto kohe, paraje etj. Gjithashtu, si pasojë e mosfunksionimit të shumë qendrave të Mjeksisë Familjare, kemi një mbingarkim të pa nevojshëm të qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në qytet. Nuk duhet harruar se mjerimi ekonomik dhe gjendja e rëndë sociale që kanë shumë qytetarë sot, është pengesë për shumë nga ta që të kenë mundësi të bëjnë një vizitë deri në qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë. Në ato vende ku shkon një mjek një herë në javë, ose ku ka një infermier. Duhet kërkuar që infermierja ta respektoj orarin e punës dhe të jetë në shërbim të qytetarëve dhe këto qendra të jenë të furnizuara me barnat që nevojiten për nevojat lokale”.
Një problem tjetër është uji i pijshëm. Shumë vendbanime edhe këtë verë po e kalojnë me mungesë të ujit të pijshëm. Për disa vendbanime është e ditur se problemet janë si rezultat i mungesës së ujësjellësit, por më e keqja është se në disa fshatra është e instaluar e gjithë infrastruktura por ka mosinteresim të Komunës për ta çuar projektin deri në fund. Kështu, në fshtrat Shkozë, Maxharë, Dragobil, Carrallukë, etj., ekzistojnë ujësjellësit me kapacitete të mjaftueshme por janë jashtë funksionit për shkak të neglizhencës së Komunës. Në mungesë të ujësjellsit funksional qytetarët po mundohen ta zëvendësojnë me alternativa të tjera. Shumë prej tyre janë të detyruar të hapin puse të thella mbi 100 metra, ku kostoja e nxjerrjes së ujit është shumë e shtrenjtë dhe jo e sigurt. Vetëm një qytetar, për hapjen e një pusi të tillë, ka shpenzuar deri në 20 mije euro, para këto të cilat fitohen me shumë vështirësi në vendet perëndimore, e mos të flasim në Kosovë. Kjo çasje e institucioneve lokale ndaj qytetarëve, po e bënë gjithnjë e më të vështirë jetën në këtë komunë.
Një problem që gjithashtu lidhet me shëndetin e qytetarëve të Malishevës është menaxhimi i mbeturinave. Në shumë fshatra, minideponitë e ndodhura gjithandej janë bërë pengesë dhe imazh i rrezikshëm për këta qytetarë. Ne kërkojmë që shpejtë të mbyllen këto dhe në bashkëpunim me qytetarët të kërkohen zgjidhje praktike. Nëse vazhdohet me këtë gjendje përveç ambientit të jashtëm ka rrezik edhe në ndotjen e ujërave si dhe përhapjen e epidemive, që mund të jenë katastrofale për jetën e qytetarëve të kësaj komune.
a.b/NOA