English

Legalizim i Tribalizmit

Nga Mero Baze

Dje ka pasur një raprezalje në Bashkinë e Tiranës . Pas shkarkimit të pastrueseve, rojeve dhe shoferëve, u erdhi radha gjithë inspektorëve të Drejtorisë së Tatim-taksave. Nuk bëhet fjalë as për ligj, as për Kodin e Punës dhe as për respektim të kritereve profesionale. Biles më keq akoma, nuk bëhet fjalë as për ndonjë valë punësimesh të njerëzve të PD –së apo militantëve të saj në Bashki. Bëhet fjalë për një klan të ri të punësuarish , të cilët janë thjeshtë njerëz të Lulzim Bashës dhe për një luftë bërrylash që ky njeri ka nisur dhe kundër disa figurave të PD-së për t’i hapur rrugën kontrollit të tij në parti.

Njeriu më i rëndësishëm në Bashki, dhe i pari që është emëruar nga Lulzim Basha, është Drejtoresha e personelit, Lindita Dedgjoni, e njohur ndryshe si “tezja”. Kjo femër ka qenë pas Lullzim Bashës qysh ditën e parë të pushtetit, për arysen e thjeshtë se është vajza e tezes së gruas së tij. Ajo dhe Kunati i tij, janë dy njerëzit kyç që kanë hyrë në Bashki, kanë marrë kontrollin mbi administratën dhe kanë nisur punën për spastrimet. Fisi i gruas së Lulzm Bashës, është një fis enveristësh nga Kurveleshi, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me PD-në. Në këto rrethana, dhe njeriu kyç që Basha mban nga mbrapa për këto spastrime, nuk ka asnjë emocion politik, as për PS as për PD, por është thjeshtë një lidhje tribale e Lulzim Bashës.

Emërimi i saj ka shokuar më shumë PD-në se sa PS-në, pasi në atë vend ishin përgatitur të shkonin disa militantë të PD-së apo njerëz që mendonin se po i shërbenin Bashës në fushatë. Të gjithë mbetën të zhgënjyer, pasi njeriu i cili është në politikë për arsye tribale, vazhdon të ketë tribalizmin si identitet të karrierës së tij. Ai është aty ku është se njeh vajzën e kryeminisrit dhe vazhdon ta ndërtojë pushtetin e tij me teze, kunetër, kushërinj dhe miq personal të tij.

Përtej njeriut të gruas që i dikton personelin, Lulzim Basha ka emëruar drejtor gjithë njerëzit që ka pasur në fillim në Ministri të Transporteve që, pas ikjes së tij janë spostuar si të paaftë, ose si njerëz që nuk kanë lidhje me PD-në. Tashmë ata janë rikthyer dhe janë rimbledhur në Bashki , jo si njerëz të PD-së apo militantë të saj, po si njerëz të Lulzim Bashës.

Një element i dytë që flet për një plan të qartë klanor dhe tribal në Bashki dhe më pas në PD, shihet dhe nga komente dhe shkrime të gazetave të kontrolluara nga Basha. Në këto gazeta, sidomos në gazetën private të Bashës, “Standard”, ka pasur shkrime ku sulmohen ashpër ministra me peshë të qeverisë, duke i akuzuar ata se nuk kanë asgjë të përbashkët me PD-në. Dhe, ironike është se kjo listë spastrimesh nis me Genc Rulin dhe përfundon fjala vjen me Myqerem Tafajn. Nuk dua të vlerësoj as njërin, as tjetrin, por Ruli mund të akuzohet lirshëm për dallaveraxhi apo ngatërrestar, por jo që nuk është pjesë e PD-së, pasi është themelues i saj dhe një identitet i fortë në shumë pika kyçe të kësaj partie. Po ashtu dhe Myqerem Tafaj, një ish ministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar në vitin 1997, kur shumica e “trimave” e lanë PD-në në baltë dhe kur Lulzim Basha ishte refugjat në Holandë, duke numëruar lekët e VEFA-s që i kishte çuar pajë gruaja dhe kunati.

Pra, e gjithë kjo fushatë kundër gjoja disa emrave në PD, nuk ka bazë llogjike dhe politike, por vetëm është pjesë e një fushatë spastrimi mbi bazë tribale, që Basha po bën për të prodhuar pushtetin e tij brenda PD-së dhe njerëzit e tij përmes pushtetit në Bashki.

Tashmë tensioni është rritur, pasi ata që po hiqen nga puna janë socialistë, por tensioni është po aq i lartë në PD, pasi ata që po hyjnë në punë nuk është se janë njerëz të karrierës së PD-së, por thjesht ushtarë që i shërbejnë Lulzim Bashës. Në këtë pikë, ajo që po ndodh me Bashkinë më të madhe të kryqytetit, është një dramë që do ta vuajë kryqytetit në aspektin social dhe vetë PD në aspektin politik.

Lulzim Basha është duke prodhuar pushtetin e tij me bekimin e familjes në pushtet, për të qenë i gatshëm të marrë kontrollin mbi PD-në. Në Bashki po punohet gjithkush që është hequr nga puna nga Sokol Olldashi, nga Genc Ruli, nga Myqyrem Tafaj apo nga Ritvan Bode, si hajdut apo i paaftë. Ata janë tani “njerëz të Lulzim Bashës, dhe si të tillë po mbushin drejtoritë dhe zyrat që po boshatisen nga vajza e tezes së gruas dhe Kunati i tij.

Ky degradim i pushtetit në tribalizëm në këtë shkallë, duket se ka stepur PD-në, pasi askush nuk guxon ta kundërshtojë apo ta ndalë. Është ky mentalitet tribal që bën Sokol Olldashin të stepet t’i prishë pallatin mbi det vjerrit të tij në Vlorë, ky mentalitet tribal që step Jozefina Topallin t’i kërkojë llogari për tezen eneveriste që punësohet në vend të demokratëve në Bashki, ky mentalitet tribal që bën të hesht Ritvan Boden, i cili disa nga të punësuarit e Bashës i ka shkarkuar për hajdut, e kështu me radhë.

I vetmi që sodit i qetë dhe i gëzuar këtë panoramë është Sali Berisha. Ndërkohë që Lulzim Basha është duke prodhuar pushtetin e tij dhe merret vetëm me krijimin e një bashkie personale, ai del çdo ditë në media dhe flet për punët e panisura të Bashkisë, duke u dhënë sinjal të gjithëve, të mos guxojnë të prekin tribalizmin që po mbin në mes të kryeqytetit.

KOMENTE