Tiranë, 27 gusht 2011, NOA- Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare, reagoi ditën e sotme lidhur me sulmet e ndodhura në Nigeri gjatë ditës së djeshme në hyrje të kompleksit të Kombeve të Bashkuara në Abuja të Nigerisë.
Ministria e Jashtme dënoi këtë sulm, nga i cili u shënuan dhjetëra viktima dhe disa të plagosur, si dhe u shkatërrua pjesa më e madhe e zyrave të OKB-së.
“Ngjarja tragjike në Abuja të Nigerisë është tregues i qartë se terrorizmi dhe lufta kundër tij mbeten një sfidë e komunitetit ndërkombëtar dhe e Shqipërisë, si pjesë e koalicionit. Me këtë rast, duke shprehur vlerësimin më të thellë ndaj atyre, të cilët sakrifikojnë jetën në shërbim të njerëzve në nevojë, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh solidaritetin me ta dhe njëherazi shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe të lënduarve”, thuhet në qëndrimin e MPJ.
Në vijim theksohet se, Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe promovimit të vlerave mbi të cilat organizata është themeluar, në shërbim të paqes, sigurisë, e zhvillimit kudo në botë.
a.y/NOA