Nga Andi Bushati
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjendet në bankën e të akuzuarve, jo vetëm si pasojë e kritikave të ardhura nga opozita, por edhe si pasojë e fshikullimit të ndërkombëtarëve. Konstatimi i raportit të ODIHR-it, se ky institucion e dobësoi besimin e publikut për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, qe një sintezë e gjetur e asaj që ndodhi. Madje, atë e vërtetuan më shumë, në mënyrë qesharake, anëtarët e barrikaduar të KQZ-së, të cilët pas publikimit të raportit nxituan të deklaronin në media se mëkatet për të cilat fliste ai, i përkisnin palës tjetër. Pra, të gjithë tashmë e pranojnë se në KQZ nuk ka njerëz të ligjit, por njerëz të palëve. Nuk ka anëtarë që preokupohen për zbatimin e Kodit, por militantë që shqetësohen për rezultatet e partisë që i ka sjellë aty. Dhe duke parë këtë gjendje, si nga diplomatët e huaj në Tiranë, ashtu edhe nga shumë zëra në vend, po rihidhet ideja e një Komisioni Qendror të Zgjedhjeve me figura të pavarura, me njerëz të paanshëm dhe mbi palët.
Po a është realiste kjo ide që kërkon të zëvendësojë bipartizanizmin me njerëz të pavarur që ndodhen në mes? A nuk kemi të bëjmë këtu me një ide naive të atyre diplomatëve që nxitojnë të bëjnë idiotin e dobishëm, duke kujtuar se me një të ngritur të shkopit do ta zgjidhin problemin? A nuk kemi të bëjmë këtu me mirësinë e pakuptimtë të atyre opinionistëve vendës, që shpresojnë në një komision të përbërë nga gjykatës e profesorë me integritet?
Në letër propozimi duket i bukur. Në një vend të cilit po i merr frymën bipartizanizmi, ku edhe Kushtetuta qepet sipas formave të trupit të dy liderëve kryesorë, ku gjithçka është sajuar që në rastin më të keq ata t’i lënë vendin njëri-tjetrit, pa pasur kurrë mundësinë të refuzohen “en bloc”, një institucion me të pavarur që do t’i jepte atyre drejtësi, do të qe i mirëpritur. Por, tjetër janë projektet voluntariste dhe tjetër është realiteti. Sepse një arbitër i zgjedhjeve me njerëz të pavarur dhe me integritet vështirë të ekzistojë. Së pari, sepse një sistem i ngritur mbi militantizmin, besnikërinë e bindjen ndaj partisë, nuk mund të pjellë kurrë diçka të tillë. Dhe e dyta, sepse një prodhim i ngjashëm, në këto 20 vite demokraci, ka munguar pothuajse krejtësisht. Në më të shumtën e rasteve edhe ata individë që zgjidhen e promovohen fillimisht si të pavarur, në rastin më të mirë rezistojnë pak, por përfundojnë gjithnjë të përkulur ndaj trysnisë së pushtetit.
Dhe për të qenë më konkretë, për të folur vetëm për KQZ-në, një eksperiencë e tillë është provuar edhe në fillim të viteve 2000, por ajo u shndërrua në një kështjellë të antiopozitarizmit. Gjithashtu, ideja se zgjedhjet mund të arbitrohen nga gjykatës, nuk është më shumë shpresëdhënëse. Jo vetëm sepse gjyqësori rezulton, sipas të gjitha sondazheve, ndër pushtetet më të korruptuara në vend, por edhe sepse ai është testuar tashmë në këtë provë. A nuk ishin gjykatësit “e pavarur” të Kushtetueses që masakruan zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001? A nuk qenë gjyqtarë, sërish të prezumuar si asnjanës, ata që dhanë vendimet e Kolegjit Zgjedhor për Tiranën?
Këto pyetje nuk kanë nevojë për përgjigje. Dy dekada militantizëm i thekur duket sikur kanë lënë fare pak vend për personalitete që qëndrojnë në mes. E aq më të paktë, gati të pagjetshëm, mund të rezultojnë ata kur bëhet fjala për t’u dhënë rolin e arbitrit të mes arkitektëve të këtij sistemi.
Prandaj, për fatin tonë të keq, çdo propozim për të angazhuar të pavarur, për të gjykuar garat elektorale të politikës, duket thjesht si një ëndërr e parealizueshme. Edhe për shumë kohë do të duhet t’i besojmë një KQZ-je bipartizane, ndofta jo me të njëjtit njerëz, po krejt të ngjashme me atë që pamë. Sepse, e keqja më e vogël në këtë gjendje ku jemi, është sistemi ku hajduti ruan hajdutin. Është gjithsesi më mirë, se ai ku “i pavaruri” shndërrohet në argat.
Gazeta “Mapo”